02.04.2021
Është inauguruar sot Stacioni i Transferimit të Mbeturinave në Gjakovë, një projekt ky që përmes përpunimit të mbeturinave do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e situatës në lagjen “Ali Ibra”.
Në ceremoninë e inaugurimit ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe ministri i ministrisë së Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi, të cilët e kanë vlerësuar lartë këtë projekt, duke shtuar se si institucionet lokale, po ashtu edhe ato qendrore, do të angazhohen që me përkrahje të vazhdueshme ta mbështesin këtë qendër dhe të ndikojnë në përmirësimin e situatës me mbeturina në komunën e Gjakovës.
Inaugurimi i Stacionit Transfer të Mbeturinave, është realizuar në kuadër të projektit “Së bashku kundër ndotjes”, është financuar përmes Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi-Kosovë në kuadër të projektit të Asistencës për Para-Anëtarësim, ndërsa është implementuar nga organizata “Let’s Do It Peja”.
Projekti “Së Bashku kundër Ndotjes” është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të Komunës së Gjakovës, Let’s do it Peja, Komunës së Petnjicës/Mali i Zi, Centre for Regional Development - Rozhajë/Mali i Zi për të fuqizuar komunitetet dhe komunat për ngritjen e kapaciteteve në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e sektorit të menaxhimit të mbeturinave.
02.04.2021
Është promovuar libri “Krime që nuk harrohen” nga autorja Mevlyde Mezini Saraqi.
Kjo vepër është monografi për krimet e luftës, si dëshmi për masakrën e ndodhur më 1 dhe 2 Prill 1999 në Bashkësinë e Parë Lokale në Gjakovë.
“Krime që nuk harrohen” u cilësua si një dritë përmes së cilës nuk do të harrojmë asnjëherë për një ndër krimet më të mëdha në luftën e fundit në Kosovë e cila morri 57 jetë të njerëzve të pafajshëm.
02.04.2021
Komuna e Gjakovë, përkatësisht sektori për Menaxhimin e Mbeturinave, ka hapur sot fushatën “Gara për Gjakovë të pastër”, aktivitet ky tashmë tradicional, që krahas angazhimit për pastrimin e lokacioneve të ndryshme në komunën e Gjakovës, synon edhe vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtje të ambientit.
Aktiviteti ka nisur me pastrimin e ambienteve të Stacionit Policor në Gjakovë dhe mbjelljen e 40 fidanëve në këtë lokacion.
Në nisje të fushatën “Gara për Gjakovë të pastër”, ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili mes tjerash ka thënë se është i lumtur që kjo fushatë po nisë pikërisht në ambientet e Stacionit Policor të Kosovës, një vend ky që është simbol i punës për garantimin e sigurisë së qytetarëve. Ai ka shtuar se komuna do të angazhohet që jo vetëm gjatë këtyre ditëve, por në vazhdimësi të kontribuojë për një ambient më të pastër dhe pa mbeturina.
Ndryshe, “Gara për Gjakovë të pastër” do të zgjasë deri me datën 5 maj, ndërsa është planifikuar që përgjatë tërë kësaj periudhe të zhvillohen aksione të shumta të pastrimit dhe vetëdijesimit për një ambient më të mirë.