X
GO

Rreth Gjakovës

“Në Republikën e Kosovës 70% e popullsisë janë nën moshën 35 vjeçare”

Republika e Kosovës ndodhet në qendër të Ballkanit me sipërfaqe 10,908 km². Kufizohet me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Numri i popullsisë është 1,8 milion banor dhe me mbi 800,000 banorë të cilët jetojnë jashtë vendit. Kosova u shpall Shtet i Pavarur, duke u bërë shteti i fundit që lindi pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Gjuha zyrtare është gjuha shqipe dhe gjuha serbe, ndërkaq gjuha angleze dhe gjermane fliten gjerësisht.

Qyteti i Gjakovës radhitet në vendin e tretë në Kosovë për nga sipërfaqja 586.62 km² dhe numri i banoreve me gjithsej 94,556 banorë (sipas cenzusit të fundit) duke përfshirë etnitetin: Turk, Goran, Boshnjak, Rom, Ashkalinjë, Egjiptian dhe Serb. Shtrihet në zonën jugperëndimore të Rrafshit të Dukagjinit, në pjesën midis qytetit të Prizrenit dhe qytetit të Pejës në Republikën e Kosovës. 

Komuna e Gjakovës është zhvilluar gjatë shekujve XIV – XV rreth Xhamisë së Hadumit, e cila ishte ndërtuar në shekullin XVI. Qyteti i Gjakovës kishte një tregti të pasur dhe ishte qendër e punës së dorës. Rreth viteve 1660, në qendër të qytetit kishte lulëzuar hoteleria si dhe dyqanet në të cilat bëhej edhe finalizimi i produkteve të ndryshme të kohës, me të cilat i mbulonin kërkesat e tregut në hapësirën e Gjakovës si dhe të rrethinës së saj. Më vonë, nga prodhimet e dalura nga ekonomia e Gjakovës mbulohej edhe tregu i malësi së Gjakovës.

Gjatë kohës së Rilindjes, qyteti kishte të zhvilluar disa degë të ekonomisë feudale ndërsa tregtia zhvillohej në rreth 1.000 dyqane. Gjatë kësaj kohe përmendet sistemi ekonomik i esnafëve. Gjakova ka një histori të lashtë të cilën e simbolizojnë edhe monumentet historike dhe fetare, është qytet i të gjithëve sa i përket edhe përkatëses fetare, Mysliman, Krishterë, Ortodoks jetojnë së bashku duke respektuar njeri tjetrin dhe duke qenë shembull për të tjerët.

Në vitet 1975-90 Gjakova kishte plan dhe industri të zhvilluar, ku spikaste: industria e tekstilit me fabrikat e prodhimit të tjerrit, pëlhurave, trikotazhit, konfeksionit të rëndë e të lehtë.  Industria metalike për prodhimin e tubave, produktet e telit, prodhimi i enëve të emaluara, të teflonizuara  apo zingtuara. Industria elektroteknike me prodhimin e elektromotorëve; industria ushqimore, industria e verës dhe pijeve, industria e përpunimit të drurit, industria e gomës, prodhimi i gazrave teknik, industria e duhanit, ndërtimtaria dhe prodhimi i materialit ndërtimor. Vlera e eksportit ishte 100-120 milion dollar në vit. Vendet te cilat eksportoheshin produktet e prodhuara në Gjakovë ishin: Gjermania, Italia, Kanadaja, SHBA, Rusia, Polonia, Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe vendet e ish Jugosllavisë ishin edhe destinacionet kryesore të mallrave të eksportuara. Në atë kohë kanë qenë të punësuar rreth 25.000 punëtorë nga i gjithë rajoni.

Mirëpo ky zhvillim fillon të ngecë pas vitit 1981 dhe të ndërpritet plotësisht pas vitit 1985, pas futjes së masave të dhunshme nga qeveria e Serbisë fillon edhe shkatërrimi i ekonomisë. Kështu gjatë kësaj periudhe dhe periudhës së luftës ndërmarrje të shumta pësuan dëmtime të rënda. Sipas një raporti të Qeverisë së Përkohshme të Gjakovës të përpiluar nga “Drejtorati për Ekonomi e Financa dhe Punë Inspektuese” në gusht 1999 mbi “dëmet gjatë luftës në ekonominë e Gjakovës” dëmet e shkaktuara kapin vlerën prej 170.252.772 DEM apo € 87,048,955.63. Kjo shumë duket të jetë vetëm për sektorin shoqërorë të ekonomisë.

Pikërisht aty ku spikaste tregtia, Çarshia e Gjakovës ishte e vetmja në Kosovë (njihej edhe si Çarshia e Sarajevës ne Bosnjës e cila ka qenë pothuajse identike për nga stili dhe infrastruktura) e cila u dogj e u shkatërrua gjatë Luftës së fundit për çlirimin e Kosovës. Ndërsa Xhamia e Hadumit bashkë me bibliotekën e saj u dogj gjatë natës së parë të sulmeve ajrore të NATO-s nga forcat paramilitare serbe duke zhdukur kështu dokumentet e rralla që datonin që nga koha e themelimit.

Pas periudhës së luftës, filloj edhe rimëkëmbja e Kosovës. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Çarshia e Madhe dhe qyteti, tani më janë rindërtuar nga fillimi dhe ballafaqohen me shumë sfida njerëzore-ekonomike-financiare.

Republika e Kosovës shquhet si vend me mundësi të mëdha për investime në Ballkan, për tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë si vend primar për investimet e tyre.

 

 

  • Valuta monetare në Republikën e Kosovës është Euro (€).  

  • Republika e Kosovës ka popullsinë më të re në Evropë

  • Kosova radhitet në mesin e ekonomive të mbarë botës që ka pasur përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes

Mundësitë potenciale për Investime janë në: Teknologji Informative dhe Komunikim, Përpunim dhe paketim të ushqimit, Miniera dhe metal përpunim, Energji, Tekstil dhe Përpunim të lëkurës, Përpunim të drurit, Turizëm.

 

Raporti i rregullt ekonomik i Ballkanit Perëndimor për 2016 – 2020

 

Disa nga arsyet për të Investuar në Gjakovë:

  • Infrastrukturë dhe Pozitë e mirë Gjeografike

  • Qasje e lirë në tregun e jashtëm

  • Kostoja e Operimit më e ulëta në Rajon

  • Disponueshmëri të Fuqisë Punëtore të Kualifikuar 

  • Qendra për Zhvillim të Karrierës 

  • Stabilitet Politik dhe Ekonomik

  • Taksa të ulëta

  • Përfitime të Iniciativave Financiare

  • Shërbime dhe Mbështetje e fuqishme Institucionale

  • Tokë më cilësi të lartë dhe Kushte klimatike me temperatura të larta

Print
Tags:

Theme picker