X
GO

Shtëpia tradicionale e Xhafer Grezdës

Çarshia e Madhe, Rr. Tahir Efendia

Shtëpia tradicionale e Xhafer Grezdës
Shtëpia e Xhafer Grezdës gjendet në kuadër të kompleksit “Çarshia e Madhe” në Gjakovë. Është shtëpi karakteristike qytetare, ku ka jetuar shtresa më e lartë dhe është e ndërtuar në shek. XIX. Kjo shtëpi gjatë tërë kohës ka shërbyer kryesisht për banim, destinim të cilin e ka edhe sot.
Objekti në fjalë i ka dy etazhe. Në përdhese kemi një hajat të hapur dhe dhomën e madhe. Ndërsa në kat kemi dhomën e pritjes me hamamxhik dhe dollapë mirë të ruajtura. Dhoma e pritjes karakterizohet edhe me tavanin e dekoruar me një rozë në mes dhe dekor në katër këndet e tavanit. Në hajatin në kat, element të veçantë paraqet vatra karakteristike nga druri. Pjesa e çardakut në hajat është e ngritur për 20 cm nga niveli tjetër i katit. Shtëpia është në gjendje relativisht të mirë, por që me qëllim të mos dëmtimit të mëtutjeshëm janë të nevojshme punime konservuese – restauruese. Objekti është i ndërtuar nga materiali i gurit dhe qerpiçit. Konstruksioni ndërkatësh është nga trarë druri të bungut, ndërsa dyshemeja është nga dërrasat. Këtë objekt e karakterizon edhe anëcaku i trefishtë në anën jugore, të cilin e hasim në dy objekte të tjera në Gjakovë (në Medresenë e Madhe dhe në shtëpinë tradicionale të familjes Pula).

Edhe konstruksioni i kulmit është nga druri i bungut, i mbuluar me qeramidhe tradicionale. Karakteristikë janë dritaret që rrethohen me një dekor të veçantë, si dhe dollapët në dhomat e mëdha që janë mjaft mirë të ruajtura. Ndërsa, sa i përket fasadës, në shumë vende kemi dëmtime që duhen sanuar. Me kohë objekti ka pësuar ndryshime nga intervenimet joprofesionale të bëra nga ana e pronarit. Kjo vërehet sidomos në gjysmën nga ana perëndimore e objektit (pjesa e pronarit Isa Grezda), e cila si në enterier ashtu edhe në eksterier është ndryshuar tërësisht. Ndërsa gjysma e objektit nga ana lindore është ruajtur në formën origjinale të tij. 

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX 

Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012

Print
Categories: Trashëgimia
Tags:

Theme picker