X
GO

Shtëpia e Tahir Bakallit

Rruga e Çabratit, Rr. Hasan Dashi

Shtëpia e Tahir Bakallit
Objekti gjendet në vendin e quajtur “Rruga e Çabratit” dhe është pjesë e zonës së gjerë të tërësisë urbanistike "Çarshia e Madhe" në qytetin e Gjakovës.
Objekti supozohet se është ndërtuar nga fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek. XIX.
Objekti shërben për banim dhe i takon tipit të shtëpive tradicionale. Objekti zhvillohet në dy etazhe – përdhese dhe bodrum (izbë – siç është quajtur në popull). Themelet janë të punuara nga materiali i gurit, ndërsa muret nga qerpiçi i kombinuar me hatulla druri. Konstruksioni i ndërkatit është nga materiali i drurit të bungut (trarëza), siç është edhe konstruksioni i kulmit. Mbulesa e kulmit është me qeramidhe tradicionale.
Shtëpia karakterizohet me strehë të gjata të përforcuara me mbajtëse të pjerrëta (testekë druri) dhe dritare të mbrojtura me kapakë prej druri.
Pjesa hyrëse e shtëpisë është e formësuar me sistem çardaku të mbyllur, ku arrihet në gjashtë shkallë. Për dallim nga shumë shtëpi të tjera, enterieri i objektit nuk është shumë i pasur me elemente druri të punuara siç janë tavanet e dekoruara dhe dollapët, por e veçanta e këtij objekti është se gati të gjitha dyert dhe dritaret janë origjinale.

Në këtë objekt në vitin 2011-2012 janë kryer punimet konservuese – restauruese, gjendje kjo që e hasim edhe sot. Intervenimet janë ekzekutuar në përmirësimin e gjendjes së konstruksionit të kulmit dhe strehës, është bërë ndërrimi i dritareve të dëmtuara dhe punimi i të rejave në bazë të gjendjes origjinale. Është rindërtuar një pjesë e murit nga ana lindore si dhe është bërë lyerja e fasadës. 

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012

Print
Categories: Trashëgimia
Tags:

Theme picker