Mulliri i fshatit Mulliq bën pjesë në kategorinë e objekteve mirë të ruajtura, i cili është i ndërtuar nga materiali i drurit në tërë konstruksionin e tij (bazament, dysheme, mure dhe në konstruksionin e kulmit). Sipas gojëdhënave të fshatarëve, ky mulli është ndërtuar në shekullin XIX, edhe pse gjendja aktuale e tij tregon se ai ka pasur disa intervenime me qëllim të ruajtjes së funksionit të tij.
Meqë mulliri kryen funksionin e bluarjes së drithit me anën e gurit, ashtu siç ka qenë në formën origjinale të tij, ky mulli edhe sot njihet për kualitetin e bluarjes, por me kapacitet më të vogël. Sistemi i lëvizjes së gurit bëhet me rrjedhjen e ujit, i cili lëviz nën konstruksionin e dyshemesë së mullirit.
Dyshemeja është konstruksion trarësh druri, siç kemi edhe një skelet shtyllash druri në konstruksionin e mureve, të cilat pastaj vishen me dërrasa. Kulmi është i mbuluar me tjegulla të rrafshëta. Uji që e vë në lëvizje gurin e mullirit është i intensitetit të vogël, sidomos gjatë sezonit veror.
Periudha: Osmane
Shekulli: XIX
Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012