X
GO

Kulla e Sadik Nivokazit (Teqeja e Sheh Hazirit)

Fshati Nivokaz

Kulla e Sadik Nivokazit (Teqeja e Sheh Hazirit)
Kulla gjendet në fshatin Nivokaz, afër rrugës kryesore Gjakovë-Junik. Kulla është ndërtuar në fillimvitet e shek. XIX.
Përveç rolit për banim kulla ka shërbyer edhe si teqe (i takon tarikatit Halveti).
Në histori, kulla (teqeja) ka luajtur rol të rëndësishëm. Për shkak të afërsisë me Junikun, aty janë mbajtur mbledhje të rëndësishme me patriotë si: Bajram Curri, Hasan Prishtina etj.
Kulla është ndërtuar në tri kate nga materiali i gurit dhe me tipare të arkitekturës tradicionale shqiptare. Këndet e kullës, kornizat e dritareve si dhe anëcaku i strehës janë të punuara me gurë të latuar, ndërsa pjesa tjetër e mureve është e punuar me gurë lumi madhësish të ndryshme. Në katin përdhese është hapësira që quhet ahur (shërben për bagëti). Hyrja bëhet nga dera e bungut që ka një shul (direk) nga brenda dhe në vend të dritareve ka disa vrima për ajrosje.
Në katin e dytë të kullës arrihet përmes shkallëve të jashtme prej gurit që janë të mbuluara me kulm. Një zgjidhje të këtillë të shkallëve me mure të trasha guri nga anash nuk e hasim në ndonjë objekt tjetër. Në këtë kat janë dhomat e vogla që quhen qilarë dhe shërbejnë si dhoma gjumi. Këto dhoma kanë dritare të vogla. Dyshemeja është e shtruar me llaç të terur (shërben për nxehtësi), mbi konstruksionin e meskatit prej druri. Tavanet janë të punuara me dekorime të drurit.
Nga kati i dytë në të tretin arrihet përmes shkallëve të brendshme, që të shpien tek oda e burrave ose teqeja. Oda e burrave e ka oxhakun, dyshekllëkun e gurit, divanhanën dhe tavanin e dekoruar me punime druri. Konstruksioni i kulmit të kullës është i punuar nga druri i gështenjës me rënie katërujore dhe i mbuluar me tjegulla tradicionale.

Në vitin 2010, në këtë objekt janë kryer punime konservuese-restauruese. 

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012

Print
Categories: Trashëgimia
Tags:

Theme picker