X
GO

Shtëpia e Ismet Zhavelit

Rruga e Çabratit, Rr. Mithat Frashëri

Shtëpia e Ismet Zhavelit
Shtëpia e Ismet Zhavelit gjendet në “Çarshinë e Madhe” dhe është ndërtuar në shek. XIX. Ky objekt  ka shërbyer për banim, të cilin funksion e kryen edhe sot.
Hyn në rangun e shtëpive tradicionale qytetare. Është tip i shtëpisë me çardak katror, i ndërtuar në dy etazhe. Themelet janë nga guri, muret nga qerpiçi. Stili i ndërtimit është “bondruk”, qerpiçë me hatulla të drurit. Konstruksioni i katit dhe i kulmit është i ndërtuar nga druri dhe i mbuluar me qeramidhe tradicionale. Muret janë të suvatuara dhe gëlqerosura. Çardaku është i vendosur mbi dy shtylla, ku si specifikë që e veçon nga tipet e tjera të çardakëve që i hasim te ky lloj objekti janë profilet katrore në kënd të çardakut, e po ashtu edhe në këndet e objektit. Ndërsa, zonat që shënojnë ndarjen në mes të etazheve kanë dekore në formë bishtalecash. Karakteristikë tjetër e kësaj shtëpie është edhe profili i drurit në mes të dy shtyllave në çardak (përballë hyrjes kryesore). Çardaku është dekoruar me arabeska. Dyshemeja, tavani, dyert dhe dritaret janë të punuara nga druri.

Gjatë viteve 2013 – 2014, është intervenuar me masa konservuese - restauruese, duke i kushtuar kujdes maksimal ruajtjes së elementeve origjinale. Punimet janë kryer në fasadën e objektit, në strehë, ndërsa në enterier është kryer konservimi i hajatit dhe është ndërtuar një banjo e re. 

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012

Print
Categories: Trashëgimia
Tags:

Theme picker