X
GO

Shtëpia e Ali Vokshit

Rruga e Çabratit, Rr. Mithat Frashëri

Shtëpia e Ali Vokshit
Objekti gjendet në vendin e quajtur ”Rruga e Çabratit”, në afërsi të pjesës historike të ”Çarshisë së Madhe ”.
Objekti thuhet të jetë ndërtuar në shek. XVIII, gjatë viteve (1770-1775).
Kjo shtëpi ka shërbyer kryesisht për banim, por në aspektin historik ka luajtur një rol të rëndësishëm për arsye se aty lindën veprimtarë të shquar, si Mustafa Vokshi (i vëllai i Sylejman Vokshit - veprimtar i Lidhjes së Prizrenit). Aty lindi i biri, Beqir Vokshi, pjesëmarrës në kryengritjet anti-osmane të viteve 1910-1912, dhe në të gjitha ngjarjet e bujshme deri në vitin 1918, kur formohet Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës.
Etazhiteti i kullës është përdhese dhe kat. Themelet janë të punuara nga gurët. Materiali i mureve është nga tulla të pjekura, të lidhura me llaç gëlqeror. Konstruksioni i ndërkatit është nga trarë prej drurit të bungut, ndërsa në konstruksionin e kulmit kemi mbajtësit kryesorë nga druri i bungut, ndërsa mahitë janë të punuara nga gështenja. Kulmi është i mbuluar me tjegulla tradicionale. Streha e kullës, po ashtu, është e punuar nga tullat e pjekura të dala në anëcakë në pesë rende të kombinuara sipas tipit “dhëmbi i ujkut”. Planimetria e objektit është katërkëndëshe, me një pamje madhështore që ia jep terreni i pjerrët, si dhe hyrja në objekt nga një plate e ngritur në pesë shkallë. Kati përdhes në përbërjen e tij ka dhomën për qëndrim ditor, dhomën e robnisë (familjarëve) me kuzhinë, si dhe nyjen sanitare. Në kat fillimisht ndodhej oda e burrave si dhe një dhomë e madhe gjumi, të cilat më vonë u shndërruan në dhoma gjumi duke iu përshtatur nevojave të familjarëve. Ndryshimi i destinimit të hapësirave ka ndikuar në ndryshimet e elementeve origjinale të enterierit. Karakteristika arkitektonike e objektit duket në fasadën kryesore, me hapjet e shumta (dritareve), si dhe një anëcaku (imitim çardaku – dalje afër 20 cm), në mes të objektit. Dritaret në përdhese dhe në anëcak janë në formë katërkëndëshe, ndërsa dritaret e tjera në kat përfundojnë në formë harku.

Gjatë viteve 2010-2011 janë kryer punime konservuese – restauruese, të financuara nga MKRS e Kosovës, nën mbikëqyrjen e QRTK - Gjakovë, duke ia ruajtur të gjitha vlerat arkitektonike të objektit. 

Periudha: Osmane

Shekulli: XVIII

Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012

Print
Categories: Trashëgimia
Tags:

Theme picker