Teqeja e Babës Ali gjendet në vendin e quajtur "Mëhalla e Hankës" dhe është ndërtuar në fillim të shek. XIX nga Sheh Cena. Objekti në fjalë i takon tipit të objekteve religjioze të konfesionit islam dhe është qendra e tarikatit Shazeli, që gjendet vetëm në Gjakovë.
Kompleksi në fjalë përbëhet nga pjesa e banimit dhe tyrbja. Konsiderohet si një ndër monumentet më të mirëmbajtura edhe pse e gjitha me investime vetanake.
Vlerë e veçantë në këtë monument është objekti i tyrbes, i cili është i ruajtur në origjinal, me një kupolë grandioze në brendinë e saj, por që kohët e fundit afresket në kupolë kanë filluar të dëmtohen. Pjesa e banimit, sipas pronarit, nuk është gjendja origjinale e saj. Fillimisht, pra, gjerë para afërsisht 85 vitesh, i tërë objekti ishte vetëm në përdhese, dhe në dhomën e pritjes në mes të dhomës kishte një kupolë të madhe, por që me rritjen e familjes kjo pjesë pastaj është rrënuar dhe ngritur në dy etazhe. Edhe sot një dhomë e këtij objekti është e destinuar për kryerjen e riteve fetare të anëtarëve të teqesë. Muret janë nga qerpiçi, konstruksioni i ndërkulmit nga druri si dhe fasada me llaç gëlqeror janë mirë të ruajtura. Dyert e hyrjes dhe dritaret nuk janë në formën origjinale të tyre, meqenëse të njëjtat janë ndryshuar me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës, përkatësisht nivelit të ndriçimit, përveç objektit të tyrbes, ku ato janë ruajtur ashtu siç kanë qenë.
Periudha: Osmane
Shekulli: XIX
Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012