X
GO
Lajmet dhe Ngjarjet
Ngjarjet

Kryeministri Haradinaj viziton Komunën e Gjakovës

  • 04.01.2018
  • Author: Dardan Krypa
  • Numri i shikimeve: 6044
  • 0 Comments
Kryeministri Haradinaj viziton Komunën e Gjakovës

Kryeministri Haradinaj viziton Komunën e Gjakovës

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot ka pritur në takim zyrtar Kryeministrin e Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ishte i shoqëruar me anëtar të kabinetit të tij qeveritar. Në këtë takim janë shpalosur shumë tema me rëndësi të veçantë për qeverisjen lokale duke i dhënë prioritet bashkëpunimit nga të dy nivelet lokal dhe ai qendror.

Kryeministri Ramush Haradinaj në takim me kryetarin Ardian Gjini, ka bërë të ditur se sot në Komunën e Gjakovës, kemi ardhur për të bërë një marrëveshje të partneriteti Komunë-Qeveri, me qëllim të realizimit sa me të shpejtë te temave që janë bazike sic është arsimi, shëndetësia, qeverisja lokale, transparenca, gjendja sociale e qytetarëve, përkujdesja e kategorisë së lirisë, për infrastrukturë, për temat e ngritjes dhe zhvillimit të sporteve, pastaj të mbështetjes së bizneseve e kështu me radhë, ka potencuar kryeministri Haradinaj. “Në çdo moment kur komuna i kryen punët e veta, Qeveria e Kosovës është e gatshme menjëherë për ti përmbushur obligimet e saj që janë me interes komunal”, ka theksuar kryeministri Haradinaj. Ai ka kërkuar nga kryetari Gjini, që të përgatis sa më shumë projekte që janë me interes të zhvillimit të komunës dhe të njëjtat ti përcjellë në Qeverinë e Kosovës. Me projekte që janë më rëndësi ne mund të konkurrojmë për grante në nivele më të larta si në ato të Bashkësisë Evropiane dhe organizata tjera ndërkombëtare.

Kryetari Ardian Gjini, e ka njoftuar kryeministrin Haradinaj, me zhvillimet më të reja në sfera të ndryshme të qeverisjes komunale, duke potencuar që në fillim rëndësinë dhe peshën që ka vizita e Kryeministri Haradinaj, për qeverinë komunale dhe për të gjithë qytetarët e Komunës së Gjakovës. “Ne si staf qeveritar komunal, që në ditët e para të marrjes së detyrës së re jemi duke punuar intensivisht për hartimin e strategjisë dhe agjendën e fushave me të cilat duhet të merremi dhe të cilat duhet ti realizojmë. Për qeverinë komunale është me interes të vëjmë në binarë të mirëfilltë çështjen e arsimit, të shëndetësisë primare, pastaj çështjen ende të pa zgjidhur të Shoqërive Aksionare si dhe të krijimit të një ambienti të favorshëm për zhvillimin e biznesit”, ka thënë Gjini. Ai më tutje ka theksuar se Gjakovës i nevojitet një terminal doganor si dhe fokusi kryesor duhet të jetë në funksionimin sa më të shpejtë të Zonës së Lirë Ekonomike, aktivizimit të Aeroportit të Gjakovës, ndërtimin e Kampusit Universitar, fillimin e punimeve të Impiantit të Ujërave të Zeza, ndërtimin e Ngrohtores së Qytetit, ndërtimin e aneksit të objektit të komunës e kështu me radhë.

Nga ana e Kryeministrit Haradinaj, është premtuar se së shpejti do të fillojnë punimet në ndërtimin e magjistrales me katër korsi Gjakovë-Klinë, pastaj fillimin e ndërtimit të një stadiumi të futbollit dhe projekte tjera që janë premtuar gjatë fushatës elektorale.

Të njëjta tema Kryeministri Haradinaj i ka potencuar edhe në dy takime tjera që pati me përfaqësuesit e qeverisë komunale, asambleistë, përfaqësues të bashkësive lokale, intelektualë, personalitete të arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit, shoqatat e bizneseve dhe bashkësitë fetare në ambientet e objektit të komunës dhe në ambientet e Shkollës së Muzikës “Prek Jakova”.

Print
Categories: Ngjarje
Tags:

Theme picker