Xhamia gjendet në hyrje të fshatit Smolicë. Kjo ndërtesë është ndërtuar në fillim të shekullit XIX dhe është simbol i rezistencës. Xhamia është me bazë katrore, e ndërtuar kryesisht nga gurët e lumit me hatulla, ndërsa gurët e gdhendur janë përdorur për ndërtimin e skajeve të objektit, për elemente të dritareve dhe harkut të derës hyrëse. Gjithashtu gurët e gdhendur janë përdorur për ndërtimin e kurorës së mureve ose simsit. Konstruksioni i kulmit ka qenë nga druri, i mbuluar me tjegulla tradicionale. Hyrja për në xhami është nga ana veriore dhe është e theksuar me portalin nga gurët e gdhendur që përfundon me hark të dyfishtë. Dritaret janë të vendosura në rende, në përdhese dritaret janë në formë katrore me gurin e gdhendur në formë harku që është i vendosur mbi të dhe të dekoruara me gurë më të vegjël, po ashtu në formë harku. Nga ana lindore dhe jugore janë të vendosura nga dy dritare, kurse nga ana perëndimore vetëm një. Në etazh nga secila anë është e vendosur nga një dritare në formë rrethi.
Periudha: Osmane
Shekulli: XIX
Nën mbrojtje të përkohshme, Data e Mbrojtjes: Tetor-2012
Burimi: https://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=7774