Teqeja e Sheh Banit gjendet në vendin e quajtur "Mëhalla e Qylit”, pranë lumit Krena. Objekti është ndërtuar në shek. XIX.
Funksioni primar i teqesë ka qenë fetar, por në këtë objekt janë kryer edhe shumë veprimtari arsimore. Teqeja e Sheh Banit i takon tarikatit Sadi. Themelues i teqesë ka qenë Baba Sadik dhe Baba Ahmet, kuburet (varret) e të cilëve gjenden në teqe. Emrin teqeja e ka marrë nga Baba Sheh Bani ose Sheh Shabani II që ka qenë Sheh prej vitit 1911-1942. Varrezat (kuburit) e para të teqesë i përkasin tri vajzave të rëna shehid në kohën e luftërave austriako-turke (1683-1699).
Teqeja e Sheh Banit përbëhet nga objekti i teqesë, e cila ka dy kate dhe objekti i tyrbes, të vendosura si një tërësi. Teqeja përmban samahanen, ku kryheshin ritet fetare, dy dhoma për mysafirë, si dhe tyrben si hapësirë e veçantë.
Samahanja është e mbuluar me një kupolë madhështore me mjaft dekorime, afreske, fotografi dhe pajisje për kryerjen e ritit të ziqrit. Dhomat e mysafirëve po ashtu janë të punuara me material të drurit. Nga ana e jashtme objekti ka një pamje madhështore, me çardakun që zë vend dominues, dritaret të renditura në mënyrë harmonike, ku secila prej tyre ka korniza dekorative përreth.
Materiali i përdorur në ndërtimin e objektit është guri – në themele. Muret janë nga tullat e pjekura. Konstruksioni i ndërkatit është nga trarë druri të bungut me dysheme dërrasash. Kulmi, që është me shumë rënie, po ashtu është nga druri i mbuluar me tjegulla të rrafshëta.
Objekti i tyrbes është i një madhësie mesatare ngjitur me objektin e teqesë. Tyrbja nga ana e jashtme përcjell në vazhdimësi arkitekturën e teqesë, ndërsa brenda ka një hapësirë të vetme të mbuluar me kulm, i mbështetur në bazë tetëkëndëshe. Tavani është i veshur me dërrasa dhe shiklla.
Periudha: Osmane
Shekulli: XIX
Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012