X
GO
Trashëgimia

Kulla e Ahmet Islamit

Fshati Dujakë

Kulla e Ahmet Islamit
Kulla gjendet në fshatin Dujakë të Gjakovës dhe është ndërtuar në shekullin XIX. Kulla është tipike e Rrafshit të Dukagjinit, që do të thotë se ka shërbyer për banim dhe fortifikim. Stili i ndërtimit është tradicional. Kjo kullë përbëhet nga dy etazhe, përdhesja që ka shërbyer për bagëti, si ahur, dhe kati i parë që në popull njihet si kati i robnisë, gjegjësisht i familjarëve. Kati i parë i kullës përbëhet nga oda e burrave me vatër brenda dhe abdes-hanen në korridor.
Kulla është ndërtuar nga materiali i gurit, të cilët janë të dimensioneve më të mëdha se zakonisht, ndërsa këndet e kullës janë të punuara me gurë të latuar. Konstruksioni ndërkatësh është nga trarët e drurit me dimensione të mëdha ndërsa dyshemeja është e shtruar me dërrasa. Qasja në katin e parë bëhet me anë të shkallëve të jashtme, nga materiali drunor, që kanë veshje anësore me dërrasa dhe është e mbuluar me qeramidhe tradicionale.

Në këtë kullë janë kryer disa punime konservuese – restauruese, kryesisht në dyer, dritare dhe kulm. Janë bërë po ashtu përforcime në konstruksionin e ndërkatit. Kjo kullë nuk e ka çardakun nga guri, që do të thotë se i takon tipit më të vjetër të kullave. Kontruksioni i kulmit është nga druri, i mbuluar me tjegulla tradicionale.

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012

Print
Categories: Trashëgimia
Tags:

Theme picker