X
GO

Kisha e Shën Ndout

Rr. Gjon Nikollë Kazazi

Kisha e Shën Ndout
Kisha e Shën Ndout gjendet në "Rrugën e katolikëve”, përballë Kishës së Shën Palit dhe Shën Pjetrit, në Gjakovë. Kisha e parë ishte ndërtuar më 1882 dhe quhej Kisha e Patër Milës, por ajo u shkatërrua më vonë. Më 1931, Patër Lorenc Mazreku e ndërtoi në të njëjtin vend kishën e sotme. Kjo kishë u quajt "Shënjtorja e Shën Antonit të Padovës" ose ndryshe  "Kisha e Shën Ndout". Kjo kishë u rinovua disa herë, me ç'rast iu bashkëngjitën edhe konaqet, zyrat, nyjat sanitare, por duke iu përmbajtur arkitekturës origjinale.
Kisha i takon tipit të kishave me një nef drejtkëndësh dhe me dy kambanore. Me boshtin e saj gjatësor, kisha është e orientuar në drejtimin perëndim – lindje. 
Hyrja në objekt gjendet në anën perëndimore dhe është e theksuar me dy kambanore. Dera në hyrje të kishës është e thjeshtë dhe pa dekorime të portalit që përfundon me hark. Kisha përbëhet nga narteksi, naosi dhe prej hapësirës së altarit me sakrastine. Enterieri në kuptimin arkitektonik është i pastër dhe i dukshëm me bazë drejtkëndore dhe gati simetrik. Në anën jugore të Kishës është i bashkangjitur aneks objekti i administratës. 

Në vazhdim të nefit gjendet hapësira e altarit me bazë katrore dhe altari, i cili paraqet elementin dominues të kompozicionit të enterierit. Kambanoret janë të vendosura në anën lindore dhe theksojnë hyrjen në kishë. Kulmi i tyre është i thjeshtë – katërujor. Enterieri i sotëm i kishës nuk është në gjendjen origjinale të saj pasi që në fillim të viteve ‘90 janë kryer punime në brendinë e kishës (ka ardhur gjerë te përdorimi i materialeve të reja si mermer dhe qeramikë). Fasadat e kishës kanë një arkitekturë të pastër jo të ngarkuar me detale, ku vlen të ceket sidomos përfundimi i hapjeve me gjysmëhark. Karakteristikë tjetër në këtë objekt është që përfundimi i çdo pjese të objektit në lartësi përfundon me nga një dekor të thjeshtë, në një ritëm të rregullt. Hapjet e dritareve janë të rregulluara në një rresht nga katër dritare në çdo anë (fasada veri dhe jug). 

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX, (rikonstruksioni XX)

Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012

Print
Categories: Trashëgimia
Tags:

Theme picker