19.03.2021
Arnesa është një ndër njëqind nxënëset që mësimet i merr në shkollën fillore “Luigj Gurakuqi”. Gëzimi i lexohet në sy! Tani e tutje, ajo bashkë me shokët e shoqet kanë mundësi të ndjekin mësimet në objektin e ri të shkollës në Korenicë.
Objekti i ri është ndërtuar me standarte të larta dhe tashmë nxënësit do të kenë klasa dhe kabinete për të konkretizuar mësimet teorike.
“Jam i mbushur gëzim që sot shoh këta fëmijë të ngazëllyer. Ne duhet t’a duam këtë vend, duhet të punojmë që këtu të edukohen edhe fëmijët e fëmijëve tuaj”, tha në fjalën e tij kryetari i Komunës Ardian Gjini.
Ministria e Arsimit mundësoi mbështetjen e saj financiare që ky projekt të jetësohet, ndërkaq Komuna e Gjakovës është në finalizim të projekteve tjera infrastrukturore në këtë shkollë e që është fusha e sportit, rrethimi dhe rregullimi i oborrit.
19.03.2021
Është përuruar Fontana e Re në Parkun e Madh të Qytetit, një element ky që e plotëson funksionalizimin e mëtejshëm të kësaj pjese të qytetit.
Fontana e re e cila ka kushtuar rreth 18 mijë euro, është donacion nga organizata “StrayCoCo” e udhëhequr nga aktivistja Helen Wormser, e cila ka shfaqur dëshirën që të investojë në parkun e madh të Gjakovës si njëri prej parqeve më të veçantë në tërë Kosovën.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit të kësaj fontane, Kryetari i Komunës, Ardian Gjini e ka falënderuar donatoren, ndërsa ka shtuar se ky nuk është investimi i fundit në parkun e qytetit, pasi parku është një projekt i gjallë, që çdo ditë e më tepër po merr formë dhe pamje, duke u shndërruar në një lokacion të pëlqyer e të mirëpritur nga qytetarët.
Përveç pjesës dekoruese, kjo fontanë do të shërbejë edhe për shuarjen e etjes së qytetarëve frekuentues të parkut, por një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe kafshëve, pasi aty është konceptuar edhe një vend ku ato mund ta shuajnë etjen.
Një investim i tillë është tejet i mirëseardhur për Gjakovën dhe qytetarët e saj, të cilët tashmë mbetet ta shfrytëzojnë por edhe ta mbrojnë nga dëmtimet këtë element dekorativ në parkun e qytetit tonë.
17.03.2021
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini ka nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi me Ministrinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e përfaqësuar nga ministri Besian Mustafa.
Marrëveshja për bashkëfinacimin e projektit “Ndërtimi dhe rehabilitimi i sistemeve të ujitjes në komunën e Gjakovës” parashihet që të zhvillohet në një afat tre vjeçar dhe ka një kosto totale prej 302,587.17€ nga të cilat 90 përqind e mbështetjes sigurohet nga MBPZHR dhe vetëm 10% nga buxheti komunal.