06.05.2021
Në shtator të këtij viti, në Gjakovë do të mbahet ushtrimi “Shpata e Argjendtë”, aktivitet ky që organizohet nga FSK-ja, KFOR-i, Policia e Kosovës dhe AME. “Ky ushtrim do të jetë i mirëseardhur për rritjen e kapaciteteve lokale dhe nacionale për menaxhimin e emergjencave. Pata kënaqësinë që t’i pres në takim përgatitor oficerët e KFOR-it, FSK-së, Policisë, përfaqësuesit e AME dhe ata të Kryqit të Kuq. Jam i lumtur që ushtrimi “Shpata e Argjendtë” do të zhvillohet edhe në Gjakovë” u shpreh ndër të tjera Kryetari i Komunës, Ardian Gjini gjatë takimit me përfaqësues të këtyre institucioneve.
26.04.2021
Platoja e Shëtitores së lumit Krena pret dy ekspozita të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës “Vullkani i Republikës” dhe “70 Vjet Arkiv”! ''Arkivat janë një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e ndërtimit të një vendi dhe e historisë së një kombi. I uroj Arkivës së Kosovës 70 vjetorin e themelimit të saj. Sot, në Gjakovë e kemi një ekspozitë tejet interesante dhe me vlerë. I ftoj që të vizitojnë këto ekspozita të cilat përmes fotografive dhe raporteve mediatike pasqyrojnë demonstratat historike të studentëve në vitin 1981 si dhe ato që tregojnë për shënimin e 70-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës. Falenderoj Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës që e kanë vendosur këtë aktivitet edhe në Gjakovë” u shpreh Kryetari i Komunës, Ardian Gjini në fjalën e tij në këtë aktivitet.
16.04.2021
Sot, filloi një projekt i madh dhe i rëndësishëm për Gjakovën, siç është trajtimi i shtratit të lumit “Llukac”!
Ky projekt që pritet të ndryshojë komplet këtë pjesë të qytetit dhe t’i jep një pamje shumë më të mirë Gjakovës, parasheh rregullimin e tërësishëm të shtratit të lumit, trajtimin e ujërave të zeza, konkretisht vendosjen e kanalizimeve si dhe ndërtimin e shtigjeve të ecjes bashkë me elementet përcjellëse të gjelbërimit dhe mirëmbajtjes. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që brenda kësaj periudhe po fillojmë ta trajtojmë edhe lumin e tretë që kalon nëpër qytetin e Gjakovës. Pjesa e “Krenës” në qendër të qytetit tashmë është e përfunduar dhe sivjet do të vazhdojmë të punojmë me “Krenën” në pjesën e epërme deri tek Tulltorja dhe në pjesën e poshtme deri tek derdhja e saj në lumin “Erenik”. Gjithashtu, sivjet do të nisim trajtimin edhe të lumit “Erenik” përgjatë tërë segmentit të rrugës “Bujar Roka”. Gjakova është me fat që ka tre lumenj që kalojnë përmes qytetit, por këta lumenjë duhet t’i ruajmë. Ata nuk duhet të jenë barrë për ne, shkaktarë të vërshimeve dhe vend për hedhjen e mbeturinave e kanalizimeve, por përkundrazi duhet të jenë aset i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit dhe unë po ndjehem shumë mirë që jemi duke punuar fuqishëm drejt këtij synimi. E falënderoj partnerin kryesor OJQ “SHE ERA” për kontributin e madh për jetësimin e këtij projekti” u shpreh Kryetari Gjini.
Ndryshe, faza e parë e trajtimit të lumit “Llukac” përfshinë një segment prej 500 metrash, prej urës në rrugën “Petro Nini Luarasi” e deri tek ura në dalje të qytetit, drejtimi për Prizren dhe financohet nga fondet e Bashkimit Evropian përmes programit ndërkufitar IPA Kosovë-Shqipëri. Ndërkohë, komuna ka planifikuar që vitet e ardhshme të ndajë buxhet për vazhdimin dhe përfundimin e tërësishëm të këtij projekti.