Lapidari, kushtuar dëshmorëve të vrarë në luftë kundër Maxhar pashës
Në njëqindvjetorin e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, në shenjë kujtimi për luftëtarët e vrarë në luftë kundër Mehmet Ali pashës, u ndërtua lapidari, i cili, në bazë përbëhët nga tri vatra-oxhaqe shtëpishë që simbolizojnë bashkimin e shqiptarëve myslimanë, ortodoksë dhe katolikë të bashkuar që vazhdon me një vertikale, duke u ngritur në lartësi, që simbolizon luftën e pandërprerë të popullit tonë, e cila shndërrohët në qëndresë të përhershme, të cilën në maje të tij e simbolizon kulla, që te shqiptarët nuk ishte vetëm shtëpi banimi, por edhe vend mbrojtjeje.
Autor i kësaj përmendoreje është skulptori akademik, Xhavit Lokaj.
Më 13 maj 1999, ky simbol u minua dhe rrafshua me tokë nga forcat ushtarake serbe, por u rindërtua pas luftës.
Në arsyetimin mbi mbrojtjen e këtij monumenti thuhet se objekti është i ndërtuar nga betonarmea, se ka një lartësi prej 11 metrash, se simbolizon popullin e bashkuar në luftë për çlirimin kombëtar, se këtë simbolizëm e karakterizojnë elemente arkitekturore shqiptare, se në pllakat e bronzit është shkruar në shqip dhe serbisht teksti:”Luftëtarëve të Lidhjës Shqiptare 1878-1881 në shenjë kujtimi të përjetshëm për luftën e tyre për çlirimin kombëtar etj.
Është nën mbrojtjën e ligjit që nga viti 1979.
Eshtërorja e luftëtarëve të vrarë të LANÇ
Paraqet varrezën e luftëtarëve të vrarë të Gjakovës me rrethinë gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare 1941-1945, paraqet të vetmen pjesë të realizuar të një projekti grandioz, i cili përfshinte Kodrën e Çabratit deri ke Fabrika e Tullave, ku parshiheshin ndërtimi i bazenit olimpik për gara të notit, bazene të tjera për argëtim të qytetarëve, parku modern me Kopshtin Botanik dhe Kopshtin Zoologjik, Parku i Lojrave për Fëmijë dhe, në të dy anët e pushimoreve të shkallëve, që do ta lidhnin eshtërorën me qytetin, lokalet për organizimin e koncerteve verore në hapësirë të hapur.
Shtatorja e Sylejman Vokshit
Afër kullës së A. Drenit gjendet shtatorja e Heroit të Popullit S. Vokshit, vepër e skulptorit Agim Çavdërbasha, e ngritur me rastin e 100 vjetorit të Lidhjës së Prizrenit.
Shtatorja e Nënës Tereze
Në parkun e qytetit gjendet shtatorja e nobelistës shqiptare Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, vepër e skulptorit Ibrahim Ponoshecit.
Përmendorja kushtuar UÇK-së
Në parkun e qytetit gjendet përmendorja kushtuar 180 dëshmorëve të UÇK-së të Komunës së Gjakovës.
Përmendorja e Tom Lantosit
Në Sheshin Tom Lantos, në lindje të qytetit, gjendet përmendorja kushtuar kongresmenit të ndjerë amerikan, mikut të shqiptarëve, Tom Lantosit, e ngritur me 1999, me rastin e njëvjetorit të ndarjës së tij nga jeta, në shenjë kujtimi të visitës së tij Gjakovës më 1990.
Busta e Asim Vokshit
Para Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” gjendet busta e luftëtarit të Spanjës, Heroit të Popullit Asim Vokshi, vepër e skulptorit Skënder Rexha.
Busta e Emin Durakut
Para Hotel “Pashtriku”- ut gjendet busta e Heroit të Popullit Emin Durakut
Busta e Mustafa Bakisë
Në Parkun e Mëhallës së Sefës, gjendet busta e Heroit të Popullit Mustafa Bakisë. Një bustë e tillë gjendet edhe para Shkollës Fillore “Mustafa Bakija”.
Busta e Bajram Currit
Ndërsa p ara ndërtesës së Fakultetit të Edukimit gjendet busta e Heroit të Popullit Bajram Currit.
Busta e Hajdar Dushit
Busta e Hajdar Dushit gjendet para gjimnazit të cilën mbanë emrin shkolla.
Busta e Mazllom Këpuskës
Ndërsa busta e dëshmorit Mazllom Këpuskës gjedner në oborrin e shkollës që mbanë emrin e tij.
Varri i nënës së Hadum ages në fshatin Guskë
Sipas traditës popullore thuhet se familja e Hadum ages, themeluesit të Xhamisë së Hadumit dhe të shumë objekteve të para publike në Gjakovë, ishte me origjinë nga fshati Voksh, prej nga u shpërngul në fshatin Guskë afër Gjakovës. Banorët e Guskës, që janë të gjithë katolikë, e nderuan këtë varr dhe e ruajtën me përkushtim gjatë një periudhe mbi katër shekullore.
Kjo është përmendorja e parë shqiptare e periudhës osmane, dëshmia e parë materiale, e cila provon se në Kosovë shqiptarët nuk janë ardhacakë, të cilët u shpërgulën nga Shqipëria pas të ashtuquajturës Shpërngulje të Madhe Serbe nën udhëheqjën e patrikut të Pejës, Arsenije Çarnojeviqit më 1690.
Varri i Dah Polloshkës i vitit 1845 në Nakarade
Në mars 1845 vazhdoi kryengritja kundër dorëzimit të armëve në Gjakovë, të cilës iu bashkuan fiset e Malësisë në krye me Binak Alinë dhe Sokol Ramën. Rreth 8 mijë kryengritës çliruan Gjakovën. Por seraskeri i Rumelisë, kreatori i Masakrës së Manastirit, shqiptarvrasësi Mehmet Reshit pasha, arriti ta shtypë me gjak kryengritjën, duke masakruar shumë kryengritës. Daut agë Polloshka organizoi atentat kundër Reshit pashës dhe, kur iu afrua tendës së tij, e diktojnë truprojet e pashait, të cilët e arrestojnë dhe, me urdhërin e seraskerit, ia bëjnë trupin copë e grimë.
E ëma mezi arriti të marrë leje nga seraskeri për ta varrosur të birin diku afër vendit të ngjarjës. Ruhët një cikël këngësh popullore kushtuar heroizmit të tij.
Varri i Maxharr pashës i vitit 1878
Marshali Mehmet Ali pasha (Karl dë Troa) lindi në Magdenburg në një familje hugenotësh francezë. Pas vdekjës së prindërve iku në Stamboll, ku kaloi në fenë islame dhe kreu akademinë ushtarake. Mori pjesë në shumë beteja dhe arriti gradën e mareshalit. Si ekspert i njohur përfaqësoi Perandorinë Osmane në bisedimet e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit.
Me shqiptarët ra në kontakt qysh më 1857. Më 1862 sumoi pa sukses Malësinë e Gjakovës për të shtypur kryengritjën e Krasniqës dhe për të arrestuar prijsin e tyre Shaqir Currin. Më 1871 bëri një kërdi ndaj kryengritësve shkodranë.
Më 12 gusht 1878, Porta e emëroi komisar politik për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit për dorëzimin e tokave shqiptare Malit të Zi dhe Sërbisë, gjë që kundërshtohej nga Lidhja Shqiptare në Prizren. Nga Prizreni arriti në Gjakovë më 31 gusht në sarajin e Adullah Drenit në rrugë drejt Malit të Zi. Pas bisedimesh të arshpra më 1 dhe 2 shtaror me krerët Lidhjës në Gjakovë, filloi lufta, e cila përfundoi më 6 shtator 1878 me vrasjën e tij, të ushtarëve që e shoqëronin dhe të disa mikëpritësve.
Kështu përfundoi jetën njeri nga shtetarët, ushtarakët dhe diplomatët më të shquar të Perandorisë Osmane, i cili shkruante edhe poezi në gjermanisht, frengjisht, greqisht, persisht, arabisht dhe turqisht. U varros përballë sarajit të Abdullah Drenit bashkë me 400 vullnetarë të Lidhjës.
Në arsyetimin e hollësishëm mbi mbrojtjen e këtij monumenti thuhet se ai gjeti strehim te feudali renegat Abdullah Dreni, se të parët që rrethuan sarajin ishin malësorët e udhëhequr nga Mic Sokoli, se rrethuesit dogjën sarajin etj.
Është nën mbrojtjën e ligjit që nga viti 1980.
Varri i Sylejman Vokshit
Në Mëhallë të Gecës ruhët varri i Heroit të Popullit Sylejman Vokshit. Aty afër janë të varrosur edhe bashkëluftëtarët e tij gjatë Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, myderrizët Ismail efendiu dhe Ali efendiu.
Lapidari “Shokët e Lirisë”
Lapidari “Shokët e lirisë” ju kushtohet dëshmorëve të komunës së Gjakovës, ndërsa ndërtimi i saj është iniciuar nga shokët e dëshmorëve . Qëllimi i kësaj vepre është që të nderohet kontributi i pakrahasueshëm që këta dëshmor i dhanë vendit.
Inspirimi për të zhvilluar vet konceptin që figurativisht paraqet udhën e lirisë, është kontributi i djemve gjatë jetës së tyre që ishte si një udhë e pambarim e mbushur me vështirësi, pengesa dhe luftë të përgjakshme për një qëllim të përbashkët lirinë e atdheut.
Udhë kjo që prezantohet me një shirit ngjyrë kuqe që çan përmes fushë-betejave figurativisht të paraqitura me forma gjeometrike, shtrihet drejtë në kuotën zero për një gjatësi të caktuar, ku akoma pa e gëzuar lirinë ngritët guximshëm që simbolizon guximin dhe udhën e tyre për një përjetësi.
Në lapidar janë vënë dy lloj ndriçimesh. I pari është vënë në majë të çdo shiriti, ndriçim që çan qiellin dhe figurativisht bënë ndriçimin e udhës së dëshmorëve, ndriçimi i dytë gjendet prapa secilit shirit, “për të vënë në pah lirinë që gëzojmë ne sot”.
Si udhë-shirita paraqitën në numër më shumë se një, “për të treguar se këta të rinj kanë qenë në grup, pavarësisht asaj që secili ka shënuar një udhë të rëndësishme”.
Kështu kjo vepër me madhështinë e saj, e kombinuar me reflektimin e dritë-hijes, vjen e bëhet shumë madhështore, që të kujton vazhdimisht krenarinë që ndjejmë për atë çfarë ishin dhe bënë djemtë tanë për këtë vend.
Ky Lapidar është përuruar me 28 Nëntor 2014, si ditë e festës së Pavarësisë së Shqipërisë.