X
GO

Kulla e Isuf Sadikut

Fshati Nivokaz

Kulla e Isuf Sadikut
Kulla gjendet në fshatin Nivokaz dhe është ndërtuar në shek. XIX. I takon tipit të kullave trekatëshe (tipike për Rrafshin e Dukagjinit), dhe ka shërbyer kryesisht për banim.
Kulla është e punuar nga materiali i gurit si në themele ashtu edhe në mure. Sipërfaqja më e madhe e mureve është punuar nga gurët e lumit në formë të çrregullt përveç këndeve të kullës dhe dyshekllëkut, që janë të punuara nga gurë të latuar. Muret e brendshme – ndarëse janë të punuara nga druri, me përforcime vertikale.
Konstruksioni i ndërkatit është nga trarëza druri të bungut, me dysheme të punuar nga dërrasat. Kulmi po ashtu është i punuar nga trarë dhe mahi druri e të mbuluara me tjegulla mediterane. Fillimisht, kulmi ishte i mbuluar me qeramidhe tradicionale, të cilat u zëvendësuan me tjegulla pas punimeve konservuese- restauruese të kryera gjatë vitit 2014. Streha është e formuar nga dy dalje anëcakë, me pllaka guri deri në 20 cm. Përdhesja si zakonisht është përdorur si ahur. Kati i parë për banorë të shtëpisë ndërsa kati i dytë, që përbëhet nga oda e mysafirëve dhe dyshekllëku, kanë qenë të dedikuara për pritjen e mysafirëve.
Dera dhe hapjet janë të ruajtura përveç tri prej tyre që janë të ndryshuara.

Gjatë punimeve të cekura më lart janë sanuar edhe dëmtimet e shumta në muret e jashtme të kullës, kurse në enterier nuk është intervenuar fare. Prandaj tavanet, dyshemetë, vatra, shkallët dhe dyshekllëku janë në gjendjen siç kanë qenë në fillim. 

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012

Print
Categories: Trashëgimia
Tags:

Theme picker