X
GO
News and Events
Zbulohet Lapidari kushtuar 20 Martirëve të 2 Prillit 02.04.20210

Zbulohet Lapidari kushtuar 20 Martirëve të 2 Prillit

Është bërë sot zbulimi i Lapidarit në nderim të 20 martirëve, të gjithë gra e fëmijë të moshave të ndryshme, të rënë me 2 prill 1999 në shtëpinë e familjes Vejsa.

Bashkë me familjarët e martirëve, zbulimin e këtij lapidari e ka bërë kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili duke rikujtuar ditët e rënda të luftës, ka thënë se masakra në familjen Vejsa është ndërsa momentet më të rënda jo vetëm për Gjakovën por edhe për tërë Kosovën. Megjithatë ai ka shtuar se të gjithë neve duhet të na bëj krenar fakti se nuk është realizuar në plotësi skenari i atyre që bënë masakra në Kosovë për zhdukjen e plotë të popullit tonë dhe sot ne me dhembje por me krenari po i përkujtojmë njerëzit tanë të dashur.

Në emër të familjarëve të martirëve, ka folur zonja Nesrete Vejsa Nuka, e cila duke falënderuar komunën e Gjakovës për realizimin e këtij lapidari, ka thënë se ky është një veprim që sadopak zbutë dhembjen e madhe të këtyre familjarëve.

 

Inaugurohet Stacioni i Transferimit të Mbeturinave në lagjen 'Ali Ibra' 02.04.20210

Inaugurohet Stacioni i Transferimit të Mbeturinave në lagjen 'Ali Ibra'

Është inauguruar sot Stacioni i Transferimit të Mbeturinave në Gjakovë, një projekt ky që përmes përpunimit të mbeturinave do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e situatës në lagjen “Ali Ibra”.

Në ceremoninë e inaugurimit ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe ministri i ministrisë së Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi, të cilët e kanë vlerësuar lartë këtë projekt, duke shtuar se si institucionet lokale, po ashtu edhe ato qendrore, do të angazhohen që me përkrahje të vazhdueshme ta mbështesin këtë qendër dhe të ndikojnë në përmirësimin e situatës me mbeturina në komunën e Gjakovës.

Inaugurimi i Stacionit Transfer të Mbeturinave, është realizuar në kuadër të projektit “Së bashku kundër ndotjes”, është financuar përmes Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi-Kosovë në kuadër të projektit të Asistencës për Para-Anëtarësim, ndërsa është implementuar nga organizata “Let’s Do It Peja”.

Projekti “Së Bashku kundër Ndotjes” është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të Komunës së Gjakovës, Let’s do it Peja, Komunës së Petnjicës/Mali i Zi, Centre for Regional Development - Rozhajë/Mali i Zi për të fuqizuar komunitetet dhe komunat për ngritjen e kapaciteteve në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e sektorit të menaxhimit të mbeturinave.

Promovohet libri 'Krimet e Luftës' 02.04.20210

Promovohet libri 'Krimet e Luftës'

Është promovuar libri “Krime që nuk harrohen” nga autorja Mevlyde Mezini Saraqi.

Kjo vepër është monografi për krimet e luftës, si dëshmi për masakrën e ndodhur më 1 dhe 2 Prill 1999 në Bashkësinë e Parë Lokale në Gjakovë.

“Krime që nuk harrohen” u cilësua si një dritë përmes së cilës nuk do të harrojmë asnjëherë për një ndër krimet më të mëdha në luftën e fundit në Kosovë e cila morri 57 jetë të njerëzve të pafajshëm.

Hapet Gara për Gjakovë të Pastër 02.04.20210

Hapet Gara për Gjakovë të Pastër

Komuna e Gjakovë, përkatësisht sektori për Menaxhimin e Mbeturinave, ka hapur sot fushatën “Gara për Gjakovë të pastër”, aktivitet ky tashmë tradicional, që krahas angazhimit për pastrimin e lokacioneve të ndryshme në komunën e Gjakovës, synon edhe vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtje të ambientit.

Aktiviteti ka nisur me pastrimin e ambienteve të Stacionit Policor në Gjakovë dhe mbjelljen e 40 fidanëve në këtë lokacion.

Në nisje të fushatën “Gara për Gjakovë të pastër”, ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili mes tjerash ka thënë se është i lumtur që kjo fushatë po nisë pikërisht në ambientet e Stacionit Policor të Kosovës, një vend ky që është simbol i punës për garantimin e sigurisë së qytetarëve. Ai ka shtuar se komuna do të angazhohet që jo vetëm gjatë këtyre ditëve, por në vazhdimësi të kontribuojë për një ambient më të pastër dhe pa mbeturina.

Ndryshe, “Gara për Gjakovë të pastër” do të zgjasë deri me datën 5 maj, ndërsa është planifikuar që përgjatë tërë kësaj periudhe të zhvillohen aksione të shumta të pastrimit dhe vetëdijesimit për një ambient më të mirë.

Përkujtohet masakra e 1 dhe 2 Prillit të vitit 1999 02.04.20210

Përkujtohet masakra e 1 dhe 2 Prillit të vitit 1999

Janë bërë homazhe në përkujtim të 57 martirëve të vrarë mizorisht nga forcat serbe më 1 dhe 2 Prill 1999 në Bashkësinë e Parë Lokale.

Kjo, është një ndër masakrat më të mëdha që u krye nga këto forca në komunën tonë dhe në gjithë Kosovën.

1 dhe 2 Prilli janë ditë të dhimbjes dhe mallit për jetët e humbura padrejtësisht. Do të ju kujtojmë përgjithmonë me përulësi të thellë!

Fillon vaksinimi në Gjakovë 02.04.20210

Fillon vaksinimi në Gjakovë

Pas arritjes së sasisë së parë të vaksinës Anti-Covid, ka filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësor në sektorin publik në komunën e Gjakovës.

Gjatë ceremonisë së fillimit të këtij procesi, Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, u shpreh i lumtur që sot filloi faza e parë e vaksinimit. “Në komunën tonë, në këtë fazë, do të vaksinohen gjithsej 1020 mjekë dhe infermierë. Shpresoj që ky proces të ecë mbarë. Është jetike që secili prej nesh, sipas fazave të përcaktuara nga institucionet qendrore, të marrim vaksinën Anti-Covid në mënyrë së shpejti që t’i kthehemi jetës normale” tha ndër të tjera Kryetari Gjini.

Kryetari Gjini dhe nxënësit e shkollave të komunës diskutojnë për mjedisin 19.03.20210

Kryetari Gjini dhe nxënësit e shkollave të komunës diskutojnë për mjedisin

Bashkëbisedim i frytshëm i Kryetarit Gjini me nxënësit e zellshëm të shkollave të komunës tonë lidhur me mjedisin!

Në kuadër të projektit “Human Rightvism Project” të organizuar nga Ec Ma Ndryshe, Kryetari Gjini ka mësuar më shumë për aktivitetet dhe projektet e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave për një mjedis të pastër. “Jam i lumtur që ju jeni të preokupuar për mjedisin sepse kjo do të thotë që jemi në rrugë të drejtë për një ambient të pastër. Jam i gatshëm që bashkë me kolegët e mi të vazhdojmë angazhimin maksimal në këtë sektor të rëndësishëm për mirëqenien e të gjithë neve” u shpreh ndër të tjera ai.

Në tri vitet e fundit, si qeverisje komunale, kemi mbjellë rreth 12 mijë fidane kudo në Gjakovë dhe një mision i tillë do të vazhdojë edhe më tutje. Pastrimi i Qendrës Transfer, projekti i kolektorit dhe impiantit të ujërave të zeza që finalizohen këtë vit janë disa nga projektet me vlerë të madhe për mjedisin.

Shkolla në Korenicë bëhet me objekt të ri modern 19.03.20210

Shkolla në Korenicë bëhet me objekt të ri modern

Arnesa është një ndër njëqind nxënëset që mësimet i merr në shkollën fillore “Luigj Gurakuqi”. Gëzimi i lexohet në sy! Tani e tutje, ajo bashkë me shokët e shoqet kanë mundësi të ndjekin mësimet në objektin e ri të shkollës në Korenicë.

Objekti i ri është ndërtuar me standarte të larta dhe tashmë nxënësit do të kenë klasa dhe kabinete për të konkretizuar mësimet teorike.

“Jam i mbushur gëzim që sot shoh këta fëmijë të ngazëllyer. Ne duhet t’a duam këtë vend, duhet të punojmë që këtu të edukohen edhe fëmijët e fëmijëve tuaj”, tha në fjalën e tij kryetari i Komunës Ardian Gjini.

Ministria e Arsimit mundësoi mbështetjen e saj financiare që ky projekt të jetësohet, ndërkaq Komuna e Gjakovës është në finalizim të projekteve tjera infrastrukturore në këtë shkollë e që është fusha e sportit, rrethimi dhe rregullimi i oborrit.

 

Përurohet Fontana e Re në Parkun e Qytetit 19.03.20210

Përurohet Fontana e Re në Parkun e Qytetit

Është përuruar Fontana e Re në Parkun e Madh të Qytetit, një element ky që e plotëson funksionalizimin e mëtejshëm të kësaj pjese të qytetit.

Fontana e re e cila ka kushtuar rreth 18 mijë euro, është donacion nga organizata “StrayCoCo” e udhëhequr nga aktivistja Helen Wormser, e cila ka shfaqur dëshirën që të investojë në parkun e madh të Gjakovës si njëri prej parqeve më të veçantë në tërë Kosovën.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të kësaj fontane, Kryetari i Komunës, Ardian Gjini e ka falënderuar donatoren, ndërsa ka shtuar se ky nuk është investimi i fundit në parkun e qytetit, pasi parku është një projekt i gjallë, që çdo ditë e më tepër po merr formë dhe pamje, duke u shndërruar në një lokacion të pëlqyer e të mirëpritur nga qytetarët.

Përveç pjesës dekoruese, kjo fontanë do të shërbejë edhe për shuarjen e etjes së qytetarëve frekuentues të parkut, por një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe kafshëve, pasi aty është konceptuar edhe një vend ku ato mund ta shuajnë etjen.

Një investim i tillë është tejet i mirëseardhur për Gjakovën dhe qytetarët e saj, të cilët tashmë mbetet ta shfrytëzojnë por edhe ta mbrojnë nga dëmtimet këtë element dekorativ në parkun e qytetit tonë.

RSS
245678910Last

Theme picker