X
GO

Besnik Hasi viziton komunën, premton ndihmë për KF “Vëllaznimin”

  • 26.12.2017
  • Author: Artan Haraqia
  • Numri i shikimeve: 6554
  • 0 Comments

Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, sot ka pritur në një takim ish – futbollistin e trajnerin e disa skuadrave evropiane si dhe reprezentuesin e kombëtares Shqiptare Besnik Hasi, me të cilin ka zhvilluar një bisedë tejet miqësore. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendës ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e republikës së Kosovës Burbuqe Bakija – Deva si dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Gjakovës Saranda Hyseni.

Kryetari Gjini fillimisht e ka njoftuar Besnik Hasin për sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet sporti gjakovar, veçmas futbolli dhe klubi futbollistik “Vëllaznimi”, ndërsa ka shtuar se qeverisja e re lokale është duke bërë përpjekje që të gjejë forma për përmirësimin e kësaj situate.

Duke u fokusuar tek problemet e klubit futbollistik “Vëllaznimi”, kryetari Gjini ka njoftuar se së shpejti do të formohet një komision profesionistësh përkatës, të cilët do të gjejnë format dhe mundësitë ligjore për ta zgjidhur një herë e përgjithmonë statusin e klubit, duke e kthyer klubin në një Shoqëri Aksionare, me kushte dhe situatë shumë më të mirë se sa situata aktuale.

Kryetari Gjini gjithashtu e ka njoftuar futbollistin gjakovar se komuna bashkë edhe me qeverinë qendrore po planifikojnë ndërtimin e një stadiumi të ri për qytetin e Gjakovës, stadium i cili do të ofrojë kushte shumë më të mira për ndeshje futbollistike dhe ushtrime të futbollistëve.

Kryetari ka thënë se do të ndërtojmë edhe stadiumin e ri të futbollit dhe do të gjejmë hapësira për ndërtimin e dy fushave ndihmese për ushtrime.

Nga ana tjetër, futbollisti Besnik Hasi, ka premtuar që me përvojën e tij shumëvjeçare në futbollin evropian do ta ndihmojë sportin gjakovarë, veçmas Klubin Futbollistik  “Vëllaznimi”, klub në të cilin vet Hasi ka marrë hapat e parë si futbollist. Ai ka thënë se me kënaqësi do të bartë tek Vëllaznimi të gjitha përvojat e fituara deri me tani, qoftë si futbollist qoftë si trajner, ndërsa ka shprehur dëshirën e tij që “Vëllaznimi” të këndellet dhe në të ardhmen e afërt të jetë pjesë e klubeve më të mira evropiane. 

Print
Categories: Ngjarje
Tags:

Theme picker