X
GO
Vesti i Događaji

Mbahet mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal të Gjakovës

  • 30.01.2020
  • Author: Dardan Krypa
  • Broj pregleda: 3578
  • 0 Comments
Mbahet mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal të Gjakovës

Kuvendi Komunal i Gjakovës, të kryesuar nga Anton Shala, sot ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit. Ndër pikat më të rëndësishme në këtë takim ka qenë raporti i kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, mbi gjendjen ekonomike dhe financiare si  dhe zbatimin e planeve investuese në komunën e Gjakovës për vitin 2019. Ndër tjerash, kryetari Ardian Gjini ka bërë të ditur se në vitin paraprak realizimi i të hyrave vetjake ka qenë në shumë prej afro katër milionë euro apo llogaritur në përqindje rezulton të jetë në shkallë prej 112 për qind. Sa i përket shpenzimeve ato kanë qenë të realizuar në shkallë prej 97 për qind nga buxheti i paraparë komunal, 91.5 për qind nga investimet kapitale, ndërkohë që nga prokurorimi janë realizuar mjete në shumë prej 26.5 milion euro. Për të gjitha këto të dhëna publike të faktuara, kryetari Ardian Gjini ka rikujtuar se Komuna e Gjakovës është shpallur Komuna më transparente në Kosovë.

Kryetari Gjini ka vënë në spikamë edhe realizime të tjera, si rritja e vlerës së pronës, rritja e regjistrimit të numrit të bizneseve dhe se do të vazhdohet me projekte të tjera, si nisja e punimeve të segmentit të rrugës Gjakovë-Pejë, investimet në “Çarshinë e Madhe”, në lumin “Krena”, lirimi dhe shfrytëzimi i hapësirave publike, krijimin e parkingjeve të reja, e të tjera. Në përmbyllje të fjalës së tij, kryetari Ardian Gjini ka pohuar se me marrjen e mandatit të postit të kryetarit të Komunës, para dy viteve, ka gjetur Komunën me 4.5 milionë euro borxhe të faturuara dhe 16 sish të kontraktuara, ndërkohë që borxhi aktual i Komunës me datë një janar 2020, është 500 mijë euro borxhe të kontraktuara  dhe 400 mijë euro të faturuara.

Pas debatit rreth ndërtimeve rreth objekteve kulturore-historike, pranë kullës së Sylejman Vokshit, ku është kërkuar shfuqizimi i planit urbanistik “Gjakova 2005”, nga kryetari Ardian Gjini është marrë vendim për pezullimin e dhënies së lejeve të ndërtimit deri në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës.

Kërkesa e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit për plotësimin e segmentit të planit rregullues urban “Mbretëresha Teutë” është miratuar nga këshilltarët komunal.

Këshilltarët komunal, pas sqarimeve të kryetarit Ardian Gjini, është miratuar edhe shfuqizimi i vendimit për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale të vitit 2015, si dhe propozim-vendimi për dhënien afatshkurtër të pronës  së paluajtshme komunale për vendosjen e panove reklamuese.

Gjithashtu është votuar për formimin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale-parkingjeve, si dhe komisioni vlerësues për dhënien e tyre në shfrytëzim.

Në takimin e sotëm janë miratuar edhe Draft-Plani për Integritet 2020-2021, Draft-Rregullorja për Ndarjen e Subvencioneve të Komunës së Gjakovës, e të tjera.

Në mbledhjen e sotme betimin si këshilltar i ri komunal e ka dhënë Sali Golaj nga subjekti politik VV,  pasi nga i njëjti post ka dhënë dorëheqje Agon Batusha, i cili nga ky subjekt politik tani ka statusin e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Print
Categories: Ngjarje
Tags:

Theme picker