Kuvendi i Komunës së Gjakovës në seancën e sotme të jashtëzakonshme ka votuar me shumicë votash propozim-vendimin e kryetarit të komunës, Ardian Gjini, për ndarjen e parcelës për ndërtimin e fushës sintetike të futbollit.
Para se të hidhej në votim ku pati edhe diskutime nga ana e këshilltarëve komunal, kryetari Ardian Gjini ka pohuar se e vetmja arsye që kjo mbledhje është thirrur si e jashtëzakonshme ka qenë fakti se propozimi nga Federata e Futbollit e Kosovës ka ardhur me vonesë dhe se me afat të shpejtë kohor, brenda dy ditëve, duhet të dërgohet ky vendim në këtë institucion.
Në qartësimin e tij para këshilltarëve komunal, kryetari Gjini ka detajuar pjesa e parcelës së cekur caktohet për ndërtimin e fushës së futbollit-sintetike, sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s, e cila do të shfrytëzohet nga klubet e futbollit të komunës së Gjakovës që garojnë në super ligën e Kosovës. Gjithashtu kryetari Gjini ka bërë të ditur se investimi për këtë projekt është i përbashkët që do të bëhet në bazë të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet tri institucioneve, si Federata e Futbollit e Kosovës, e cila do të investojë 120.000 euro, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport që do të investojë shumën prej 100.000 euro, si dhe Komuna e Gjakovës që për këtë dedikim do të ndajë 30.000 euro.
Kjo pjesë e parcelës së kësaj zone kadastrale ka sipërfaqe të përgjithshme prej 81132.0 metra katrorë dhe me një vendim të Kuvendit të Komunës së Gjakovës të vitit 2014 është shpallur zonë e interesit publik, ndërsa një pjesë e saj është caktuar për ndërtimin e terreneve të tenisit. Me vendimin e sotëm këtij kompleksi rekreativ i shtohet edhe fusha sintetike të futbollit e cila do të ndikojë në shtimin e aktiviteteve rekreative – sportive në këtë pjesë të qytetit.