Kanë nisur sot punimet për zgjerimin dhe rregullimin e rrugës “Nënë Tereza” në qendër të Gjakovë.
Është ky një projekt që në organizim përpos zgjerimit të rrugës në tri korsi, parasheh edhe rregullimin e trotuareve si dhe zëvendësimin e dunjëve të vjetër me drunjë të ri. Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini gjatë fillimit të punimeve ka thënë se ky është një projekt i jashtëzakonshëm, i cili në përfundim të tij do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do ta bëj shumë më të lehtë qarkullimin për ta. Kryetari Gjini ka bërë të ditur se i tërë projekti do të përmbyllet maksimalisht pas 90 ditësh, ndërsa gjatë kësaj periudhe rruga nuk do të mbyllet për qarkullim dhe asnjë biznes nuk do të pengohet në zhvillimin e aktivitetit të vet.
Sa i përket disa zërave kundër këtij projekti, kryetari Gjini ka thënë se këto pakënaqësi janë të motivuara nga subjektet politike të opozitës, të cilat në secilin projekt të komunës tentojnë të krijojnë situata të tilla të ndikuara politikisht, duke iniciuar peticione apo tubime pakënaqësie, që e cila sjellë vetëm pengesë për zhvillimin e komunës së Gjakovës.
Megjithatë, kryetari Gjini ka garantuar se ky projekt ka mbështetje shumë më të madhe tek qytetarët, banorët dhe pronarët e bizneseve të kësaj rruge dhe për këtë arsye i njëjti do të vazhdojë deri në realizimin e tij përfundimtar.
Përndryshe, menjëherë pas ceremonisë së nisjes së këtij projekti, Kryetari i Komunës, i ka pritur edhe një herë në takim përfaqësuesit e bizneseve, duke ju qartësuar se ky projekt nuk do të ketë asnjë ndikim negativ në veprimtarinë e tyre, përkundrazi, pas finalizimit do të rrisë qarkullimin e tij.