Në Gjakovë fillon së funksionuari “Innovation HUB Gjakova”
Krijimi i ambienteve, ku të rinjtë shoqërohen mes vete dhe njëkohësisht krijojnë projekte të reja, ndikon në mënyrë pozitive në një të ardhme të ndritur për ta.
Ky është qëllimi i hapjes së qendrës “Innovation HUB Gjakova”, projekt ky i mbështetur nga Zyra e Unicef-it në Kosovë në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës dhe (GWY) YMCA.
“Faleminderit për këtë iniciativë të mirë. Jam shumë i lumtur për një nismë të tillë, e cila do të jetë në shërbim të të rinjve tanë. Ju dëshiroj shumë suksese” është shprehur kryetari i komunës, Ardian Gjini gjatë ceremonisë solemne të hapjes së qendrës.
Innovation HUB Gjakova i ka dyert e hapura për të gjithë të rinjtë, që përmes saj të zhvillojnë projekte që nxisin dhe adresojnë përfshirjen sociale, zhvillimin e të rinjve, bashkëpunimin ndëretnik dhe vendimmarrjen.