X
GO

Mbahet mbledhja e rradhës e Kuvendit Komunal të Gjakovës

  • 27.02.2020
  • Author: Dardan Krypa
  • Numri i shikimeve: 2743
  • 0 Comments
Mbahet mbledhja e rradhës e Kuvendit Komunal të Gjakovës

Kuvendi Komunal i Gjakovës ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt mujore, ku pos pikave të rendit të ditës të përcaktuara me kohë, njëkohësisht me propozim të kryesuesit Anton Shala, si pikë shtesë e rendit të ditës është shtuar edhe themelimi i Komisionit për Shqyrtimin e Kërkesave dhe Ankesave për Emërtimin e Rrugëve, e cila edhe është miratuar dhe ka gjetur mbështetjen e këshilltarëve komunal.

Më pas, këshilltarët komunal kanë votuar edhe dy propozimet e kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, që kanë të bëjnë me caktimin e lokacionit për ngritjen e lapidarit të martirëve dhe të të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë, në zonën kadastrale Kralan, si dhe caktimin e parcelës në zonën kadastrale në Skivjan për ndërtimin e objektit për ushtrimin e aktiviteteve të banorëve të fshatit Skivjan.

Bernard Frrokaj, drejtor i Drejtorisë së Arsimit, ka dhënë informatën e tij për suksesin e nxënësve mbi suksesin e gjysëmvjetorit të parë shkollor 2019/2020, si dhe investimet “priority release” të bëra në disa shkolla. Shqetësuese në këtë informatë është fakti se numri i nxënësve po pëson rënie.

Në informatën  e kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, është bërë i ditur plani i punës së Zyrës së Prokurorimit për vitin 2020, ku ndër të tjera është bërë e ditur se përgjatë këtij viti për punët publike do të jenë të ndara mbi 6.8 milion euro, për shërbime mbi 1.8 milion euro ndërsa për furnizime mbi 1.4 milion euro. Në pohimin e tij për investime kapitale për këtë vit, kryetari Ardian Gjini ka sqaruar se për shkak të ligjit të ri për pagat, është vendosur që nga këto mjete të bëhet ndryshimi për 1.8 milion euro.  Mirëpo, për këto investime mund të ketë ndryshime pasi ligji ende nuk ka hyrë në fuqi dhe se me marrëveshje me Ministrinë e Financave, të njëjtat që do të mbesin të pa ekzekutuara, do të ri dedikohen për investime kapitale, porse po ashtu priten edhe donacione si dhe investime nga qeveria qendrore,  ku për këtë të fundit duhet pritur deri në miratimin e buxhetit në muajin mars.

Pas dhënies nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit të raportit të monitorimit të planit rregullues urban "Gjakova 2005", ka pasur kërkesë nga subjekti politik Alternativa që ky plan të shfuqizohet. Pas kësaj kërkese sqarime shtesë ka dhënë kryetari Ardian Gjini, i cili ka pohuar se nëse një plan rregullues është realizuar në shkallë prej mbi dyzet për qind, atëherë nuk është e mundur shfuqizimi i tij.

Më pas, nga Nikollë Lleshi, drejtor i Drejtorisë për Punë Inspektuese, është dhënë informata për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Gjakovës, duke bërë të ditur se janë shqiptuar dyzet gjoba dhe janë ngritur gjashtë raste për kundërvajtje.

Në këtë seancë është bërë edhe formimi i komisionit për të udhëhequr dhe koordinuar punën në terren në zgjedhjen e Këshillave Lokale në komunën e Gjakovës.

Para fillimit të shqyrtimit të pikave të rendit të ditës, betimin si këshilltar i ri komunal e ka dhënë Liridon Dula, nga subjekti politik PDK.

Print
Categories: Ngjarje
Tags:

Theme picker