Kuvendi i Komunës së Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e fundit të rregullt për këtë vit, në të cilën, para se të miratohej nga këshilltarët komunal, nga subjekti politik Alternativa është kërkuar shkarkimi i kryesuesit Anton Shala, me arsyetimin se “nën udhëheqjen e tij, Kuvendi Komunal ka humbur kredibilitetin e zhvillimeve normale”.
Një jusfikim i tillë është kundërshtuar nga kryesuesi Anton Shala,duke pohuar se: “Nuk ka bazë në këto pohime dhe se ky është vetëm shantazh, pasi që të gjitha veprimet dhe vendimet janë ndërmarrur në harmonizim me ligjet”. Pas hedhjes në votim për të hyrë apo jo në rend të ditës kjo kërkesë, me shumicë votash nuk është votuar dhe Kuvendi Komunal ka procesuar me pikat tjera të përcaktuara të rendit të ditës.
Po sot, nga pozita e këshilltarit komunal dorëheqje ka dhënë Agon Batusha, pasi i njëjti me datë 26 dhjetor do të bëjë betimin si deputet i ri në Kuvendin e Kosovës.Këshilltarët komunal në vazhdim të seancës kanë votuar propozim-vendimin 01nr.011/01-96 për shfuqizimin e vendimit për këmbimin e pronës komunale, si dhe me me vota unanime kanë votuar propozim-vendimin për ngritjen e lapidarit të dëshmorëve të Brigadës së UÇK-së “137 Gjakova”.
Nga këshilltarët komunal janë miratuar edhe Draft-Rregullorja për Organizimin dhe Bashkëpunimin e Komunës me Fshatrat, Vendbanimet dhe Lagjet Urbane në Territorin e Komunës së Gjakovës, mandej Plani Komunal për Integrimin e Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar 2019-2021 për Komunën e Gjakovës, si dhe Draft-Plani Komunal i Veprimit për Efiçencë të Energjisë PKVEE 2019-2021, e cila është mbështetur nga GIZ-i gjerman.
Pas miratimit të Draft-Planit të Punës së Kuvendit të Komunës së Gjakovës për vitin 2020, nga Ferdinand Kolaj, drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik është dhënë raporti për shpërndarjen e granteve për biznese për vitin 2019 në Komunën e Gjakovës, ku është bërë e ditur se kanë qenë të ndara mjete në shumë prej 80 mijë euro, ndërkohë që prej 89 aplikuesve kanë qenë 22 përfitues, në shuma prej 2 deri në 5 mijë euro.
Mbledhja e sotshme është përmbyllur me raportin e punës nga Zyra e Prokurimit për periudhën janar-nëntor 2019, ku nga udhëheqësi i kësaj zyre, Faton Gutaj, është thënë se plani i punës për hapjen e aktiviteteve është realizuar maksimalisht, ndërkaq nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini, është thënë se ky vit do të mbahet në mend pasi është arritur që mbi tridhjetë milionë euro të tenderohen si vëllim pune, dhe puna e Zyrës së Prokurimit është vlerësuar me transparencën më të lartë buxhetore.