Komiteti për Komunitete i Komunës së Gjakovës, ka mbajtur mbledhjen e fundit për këtë vit kalendarik. Në informatën e dhënë nga zyrtarët e Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, është bërë e ditur se këtë vit janë riatdhesuar 72 persona. Prej tyre, 31 i përkasin gjinisë femërore ndërsa 41 gjinisë mashkullore. Prej numrit të përgjithshëm të të riatdhesuarve, 28 janë shqiptarë, 23 ashkalinjë, 18 romë dhe 3 egjiptianë.
Nga e njëjta zyrë është bërë e ditur se në bashkëpunim të Komunës së Gjakovës dhe organizatës VORAE, është bërë ndërtimi i shtatë shtëpive si dhe renovimi i dymbëdhjetë të tjerave. Ndërkohë janë në përmbyllje edhe të disa projekteve të tjera.
Sipas statistikave të Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, në vitin arsimor 2019/2020, janë regjistruar 1535 nxënës të komunitetit RAE.