X
GO

Kulla e Ymer Pogës

Fshati Rogovë

Kulla e Ymer Pogës
Kulla gjendet në fshatin Rogovë të Hasit në anën e djathtë të Drinit të Bardhë.
Kulla është ndërtuar në shekullin XVI nga Hasan Agë Qeli i Demjanit, i cili e ndërtoi edhe Xhaminë e Rogovës në vitin 1580 dhe Hamamin e Rogovës (i cili nuk ekziston sot). Objekti  i takon tipit të kullave tri katëshe.
Teknika e muratimit dhe struktura e materialit të ndërtimit (gur, llaç, gëlqere, tjegulla), është në përputhshmëri me Xhaminë e Hasan Agës në Rogovë, çka mund të supozohet se janë ndërtuar jo vetëm në të njëjtën kohë, por edhe nga mjeshtërit e njëjtë.
Destinimi primar i objektit ishte për banim, ku përdhesja përdorej si ahur, kati i parë ishte i destinuar për banorët e shtëpisë, ndërsa kati në katin e dytë ka odën e burrave. Për një kohë kulla thuhet të ketë shërbyer si xhami. Këtë e dëshmon edhe kupola që gjendet në odën e burrave dhe kjo e bën kullën të jetë unike për nga stili i ndërtimit në Kosovë dhe më gjerë.
Kulla e Ymer Pogës, sipas të gjitha shënimeve, konsiderohet si kulla më e vjetër në Kosovë.
Muret e jashtme janë nga materiali i gurit, ndërsa mbulesa e kulmit është nga materiali shtresë plumbi dhe rrasa guri, që e hasim rrallë tek ky lloj objektesh. Konstruksioni ndërkatësh është nga trarëza druri, dimensionesh mesatare, pasi edhe vetë dimensionet e kullës janë të madhësisë mesatare. Dyshemetë e ndërkatit janë me dërrasa, ndërsa në përdhese janë nga dheu. Komunikimi vertikal bëhet me shkallë të brendshme nga druri.
Në katin e tretë gjendet oda e mysafirëve, me vatër në mes të murit përballë hyrjes, ndërsa në parahyrje të odës kemi divahane, që po ashtu e ka vatrën.

Në vitet 2009 dhe 2013–2014, janë ekzekutuar punime të pjesshme në kullë me qëllim mbrojtjeje të objektit nga dëmtimet e mëtutjeshme. Intervenimet janë kryer në sanimin e mbulesës së kulmit, pastrimin dhe injektimin e mureve të jashtme dhe strehës. Por, në këtë kullë nevojiten edhe më shumë punime konservuese – restauruese, me qëllim që kulla të funksionalizohet në tërësi.

Periudha: Osmane

Shekulli: XVI

Nën mbrojtje të përkohshme, Data e mbrojtjes: Tetor - 2012

Print
Categories: Trashëgimia
Tags:

Theme picker