Qyteti

Gjeografia e Gjakovës

Gjeografia e Gjakovës
Gjakova me rrethinë, që nga lashtësia, kishte një pozitë të përshtatshme gjeografike. Qyteti shtrihet në pjesën jugperëndimore të fushëgropës së Rrafshit të Dukagjinit, në mes të rrugës Prizren-Pejë. Nëpër këtë vendbanim kalonte në të kaluarën një pjesë e rrugës Via de Zenta, e cila fillonte nga Shën Gjini në Detin Adriatik, vazhdonte nëpër  qytetin e Shkodrës e luginës së lumit të Drinit të Bardhë në drejtim të Prizrenit dhe më tutje drejt lindjës në Nish, në Sofje dhe në Konstantinopojë. Te Vau i Spasit kjo rrugë ndahej në dy drejtime: njeri vazhdonte drejt Prizrenit, ndërsa tjetri nëpër luginën e Krumës, anës së djathtë të Drinit të Bardhë, fshatit Letaj dhe Qafës së Prushit arrinte në Gjakovë dhe në Pejë.

Gjakova shtrihet midis gjerësisë gjeografike 42,22 dhe gjatësisë gjeografike 20,26. në bregun e majtë të lumit të Erenikut, në lindje të pllajës së Çabratit, në të dy anët e lumit Krena, në një lartësi mbidetare mesatare prej 365 metrash.

Në jugperëndim të Gjakovës shtrihën rrëzët e fundit të maleve të Sharit, ku shtrihet krahina kodrinore e Hasit, e cila përfundon me rrafshinën aluviale (lumore) të Erenikut.

Në veri të qytetit shtrihën fushat neogjene të Piskotës dhe të Dushkajës. Sukat e Koznikut, të  Cërmjanit, të Babajlloqit dhe të Hereçit e ndajnë fushëgropën e Gjakovës nga Rrafshi i Dukagjinit.

Në perëndim të Çabratit, që ka një lartësi mbidetare prej 440-460 metrash, shtrihën malet e Junikut dhe të Shkëlzenit-pjesë të Bjeshkëve të Nemuna (Alpeve Shqiptare). 

Në lindje të Gjakovës, aty ku derdhet Ereniku në Grykën e Drinit të Bardhë shtrihët pllaja gëlqerore e Gradishës, e cila e ndanë fushëgropën e Gjakovës prej asaj të Prizrenit.

Malet e ulta me qafa siç janë  Qafa e Prushit, ajo e Dobrunës, ajo e Morinës etj., kanë mundësuar ndikimin e  erërave të Detit Adratik nëpër luginën e Drinit. Prandaj Gjakova me rrethinë ka klimë të mesme kontinentale me elemente të asaj mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë. 

Temperatura mesatare e muajit korrik është 21,5 C, ndërsa e janarit -09 C. Muajt e verës janë të thatë, ndërsa të dimrit me lagështi. Mesatarja e reshjeve atmosferike është 959,3 mm.

Fushëgropën e Gjakovës e përshkojnë 80 rrjedhje të ujërave sipërfaqësorë që burojnë në veri nga vargu malor i Cërmjanit dhe nga kurorat malore në jug të qytetit. Të 80 prrojet derdhen në Erenik, i cili, me degët e tij, e ujiste fushën pjellore të Gjakovës. Ai buron nga liqenet akullnajorë të Gjeravicës dhe derdhet në Dri. Është i gjatë 51 km. Prej degëve të tij të majta është Bistrica e Lloqanit, që buron prej lartësisë Plloça në perëndim të Gjaravicës dhe, duke e ndarë Gjakovën me emrin Krena në dy pjesë, derdhet në Erenik. Trava dhe Trakaniqi janë dy lumenj tipikë fushorë që derdhen në Erenik.


Popullsia 

Popullsia e Gjakovës që nga fillimi në masë të madhe ishte shqiptare pasardhës të ilirëve, ndërsa një pakicë ishte serbe e, më vonë, pas kolonizimit, edhe malazeze. Për kah feja shumica dërmuese ishin myslimanë e katolikë (shqiptarët), ndërsa pakica ortodoksë (serbët e malazezët).

Në mungesë të të dhënave të sakta statistikore për numrin e popullsisë së qytetit dhe të rretinës deri në gjysmën e dytë të shek. XIX, do të përmendim të dhënat e udhëpërshkruesëve të ndryshëm, sipas të cilave qyteti në shek. XVII i kishte 2000 shtëpi, ndërsa më 1838 i kishte 1900 shtëpi me 21.000 banorë. Më 1857 Gilferdingu e quante Gjakovën qytet shqiptar me 3500 shtëpi shqiptare myslimane, me 70 katolike dhe me 60 shtëpi serbe. Më 1879 qyteti me rrethinë i kishte 15.210 banorë, 12.553 myslimanë dhe 2.757 të krishterë. Më 1900 sipas Millojeviqit Gjakova kishte 4000 shtëpi myslimane dhe mbi 70 serbe.  

Në qytetin e Gjakovës me rrethinë, që përfshinte 708 km2, më 1921 jetonin 32.847 banorë (30.798 shqiptarë myslimanë e katolikë dhe 2.049  serbë e malazezë ortodoksë); më 1931 jetonin 45.376 banorë (38982 shqiptarë myslimanë e katolikë dhe 6394 serbë e malazezë ortodoksë) që do të thotw se më 1921 ishin 93,76 përqind shqiptarë, kurse 6,24 përqint serbë, ndërsa më 1931 85,91 përqind ishin shqiptarë, ndërsa 14,09 përqind ishin serbë e malazezë.

Komuna e Gjakovës, sipas regjistrimi të vitit 1971 kishte 71.367 banorë, 66.566 shqiptarë, 2.056 serbë, 2.291 malazezë, 106 romë, 2 turq dhe 346 të tjerë.

Më 95 përqind të popullsisë shqiptare, regjioni i Gjakovës paraqet njëren nga hapësirat më homogjene të struktures kombëtare. Nga 83 lokalitetet, 54 janë qind për qind me popullsi shqiptare, ndërsa  në 23 syresh mbizotëronte elementi shqiptar.
Gjatë periudhave të ndryshme popullsia e Gjakovës me rrethinë përjetoi migrime të ndryshme nga shkaqe historike, ekonomike, natyrore, psikologjike, nga epidemitë etj.
Megjithatë regjioni i Gjakovës ka përjetuar një rritje të theksuar të popullsisë, e cila në periudhën 1948-1981 ka arritur në 130,5 përqind. Në këtë periudhë dendësia mesatare e popullsisë është rritur për 2,5 herë. Regjioni i Gjakovës është i pari në Rrafshin e Dukagjinit me 157 banorë në një km2. Shtimi natyror mesatar i këtij regjioni arrin në 29,5 promile.
Popullsia e qytetit të Gjakovës është rritur nga 15.190  banorë në vitin 1948 në 41.899 në regjistrimin e vitit 1981, që do të thotë për afro 2,8 herë falë zhvillimit intenziv ekonomik.       
Sipas regjistrimit të fundit në  komunën e Gjakovës jetojnë rreth  95 mijë banor.

Print