Qyteti

Industria

Industria

Fillet e zhvillimit të industrisë kanë nisur në  pjesën e parë të shekullit XX.   Objektet e para industriale,  ishin fabrika e tjegullave, e ndërtuar pas Luftës së Parë Botërore,  si dhe ndërtimi i mullirit me centralin elektrik. 

Në vitin 1930 fillon eksploatimi i xehës së kromit në Devë dhe në Babaj të Bokës, që shënon fillimin e degës ekonomike të xehëtarisë. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore fillon organizimi ekonomik në kooperativa zejtare, si kooperativa zejtare e këpucëtarëve, rrobaqepësve, kooperativa tregtare dhe të tjera për shërbime komunale. Më vonë filloi ndërtimi i disa kapaciteteve industriale, sidomos ajo e tekstilit (1960), ushqimore, e bukës, marmelatës, mishit.

Periudha më intensive e zhvillimit ekonomik ishte periudha 1960-1990, sidomos vitet 1975-90, kur komuna e Gjakovës mori pamjen e një qyteti me industri të zhvilluar, ku spikaste industria e tekstilit me fabrikat e prodhimit të tjerrit, pëlhurave, koagulatit, trikotazhit, konfeksionit te rëndë e të lehtë. U zhvillua, gjithashtu, industria metalike me prodhimin e tubave, produktet e telit, prodhimi i enëve të emaluara, të teflonizuara apo zinktuara; industria elektroteknike me prodhimin e elektromotorëve; industria ushqimore, industria e verës dhe pijeve, industria e përpunimit të drurit, industria e gomës, prodhimi i gazrave teknik, industria e duhanit, ndërtimtaria dhe prodhimi i materialit ndërtimor.

Në këto degë të industrisë kanë qenë të punësuar  rreth 20.000  punëtorë e bashkë me ta edhe shumë ekspertë të prodhimit, duke filluar nga inxhinier mekanike, elektronike dhe elektrike, të ndërtimtarisë, arkitekturës, teknologjisë ushqimore, kimisë, tekstilit, agronomisë, si edhe personel tjetër i kualifikuar si ekonomistë, juristë e sociologë. Burime njerëzore të kualifikuara ka pasur edhe në lëmenjtë e marketingut, financave, organizimit, zhvillimit të burimeve njerëzore, zhvillimit të programeve ekonomike për investime etj.

Meqenëse shumica e pajisjeve ishin të vendeve perëndimore edhe shumë nga ekspertët e lartpërmendur ishin të specializuar dhe trajnuar në SHBA, Francë,Itali, Gjermani etj.

Shumica e teknologjisë dhe objekteve industriale është financuar edhe nga institucione financiare të jashtme si Banka Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim etj, apo me investime të përbashkëta.

Shumica e prodhimeve dhe shërbimeve kanë qenë të cilësisë së lartë dhe në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare, si dhe me një dizajn të përshtatshëm.

Këto ishin rezultat i teknologjisë se përparuar të përdorur, ekspertëve dhe personelit të kualifikuar dhe nivelit të larte të organizimit të kompanive. Prandaj një pjesë e madhe e prodhimeve të këtyre kompanive eksportohej, duke filluar nga lëngjet e frutave, vera, mishi i pulës, frutat, duhani etj.

Po kështu Gjakova eksportonte prodhime metalike (tuba, produkte teli, enë për amvisëri, produkte të zinktuara), prodhime të industrisë elektronike (motorë të rrobalarëseve, elektromotorëve për kompresorë për frigoriferë, elektromotorë industrial etj); prodhime të tekstilit (të gjitha llojet e veshjeve të brendshme dhe të jashtme, pëlhurave, tjerrit etj); prodhime te industrisë së drurit, materiale ndërtimore, koncentrat të kromit; si dhe produkte të gomës.

Gjermania, Italia, Kanadaja, SHBA, Rusia, Polonia, Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe vendet e ish Jugosllavisë ishin edhe destinacionet kryesore të mallrave të eksportuara. Vlera e eksportit sillej rreth 100 - 120 milion dollarë në vit.

Print