Qyteti

Ekonomia

Ekonomia

Gjakova është e njohur për traditë pune në industri dhe bujqësi dhe për punonjës të zellshëm në zejtari, tregti dhe shërbime. Ajo ka një strukturë të popullsisë mjaft të re dhe me vullnet shumë të spikatur e të përkushtuar në punë. Të gjitha këto përfaqësojnë një potencial të madhë  zhvillimi për të ardhmen. 

Gjakova ka traditë shekullore të veprimtarisë ekonomike duke filluar nga zejtaria, tregtia, bujqësia , blegtoria dhe më pas manifaktura e veçanërisht përpunimi I lëkurës, tekstilit, përpunimi i metaleve etj.

Që në shekullin XVIII Gjakova përjetoi një zhvillim të hovshëm ekonomik falë lidhjeve tregtare me Shkodrën, Dubrovnikun, Venedikun, Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë, Maqedoninë, Bullgarinë, Egjiptin, Austrinë etj.

Qendra e këtij zhvillimi ishte Çarshia e Madhe bërthama e të cilës ishte rreth Xhamisë së Hadumit, midis Çabratit dhe të lumit Krena. Në lindje të Krenës më vonë u zhvillua Çarshia e Vogël. Në shek. XIX aty ishin 1250 dyqane të zejtarëve që mirreshin me përpunimin e metaleve, të lëkurëve, të leshit, të mëndafshit, të tekstileve, të drurit, etj.

Zhvillimi i hovshëm i zejtarisë nxiti edhe zhvillimin e tregtisë së brendshme dhe të jashtme. Dita e pazarit në Gjakovë zgjaste deri në tri ditë për çdo javë. Ndër tregtarët më të njohur vendorë përmendët familja e hadrajve, e cila merrej me tregtinë e jashtme të leshit. Ata kishin filalet e tyre në Vidin, në Budapest, në Vjenë, në Selanik, në Stamboll etj. Por monopolin e tregtisë së jashtme e kishin shtëpitë tregtare shkodrane Çoba, Suma, Pema, Bianki, Shiroka etj. Ato importonin dhe eksportonin mallra të ndryshme në Venedik, në Trieste, në Raguzë, në Beograd etj.

Për intensifikimin e lidhjeve tregtare esnafet e Terzinjve dhe të Tabakëve ndërtuan mbi lumin Erenik Urën e Terzinjve, që lidhte Gjakovën me Prizrenin dhe Urën e Tabakëve, që lidhte Gjakovën me Shkodrën. Tregtarët e Gjakovës ndërtuan mbi lumin Mirushë Urën e Rabaxhinjve që lidhte qytetin e tyre me Vushtrrinë dhe vendet e tjera.
Është interesant të përmenden lagjet e vjetra të qytetit si:

Mahalla e Hadumit - lagjja me e vjetër, vendthemelimi i qytetit
Mahalla e Haxhi Ymerit
Mahalla e Mahmud Pashës
Mahalla e Sefës
Mahalla e Gërqarve
Mëhalla e Qylit
Mëhalla e Honkes
Mëhalla e Mulla Jusufit
Mahalla e Gecës
Mahalla e Sefës
Mahalla e Qerimit etj.

Zhvillimi kaq i dendur i tregtisë së brendshme dhe të jashtme nënkuptonte nevojën për objekte hoteliere. Prandaj gati të gjitha shtëpitë në Gjakovë e kishin në fund të oborrit të madh, përskaj dyerve të mëdha hyrëse pjesën për mysafirë, që përbëhej nga dhoma e mysafirëve të njohur dhe të panjohur me oxhak, banjo dhe nevojtore të veçantë, nga ahuri për vendosjen e kafshëve bartëse dhe plema mbi te për ruajtjën e ushqimit të kafshëve dhe, pastaj, nga hambari i grurit, koshi i misrit etj.

Nga ana tjetër, ekzistonin edhe objektet e tjera hoteliere publike-hanet dhe karavansarajet. Hanet për kah funksioni iu përngjanin hoteleve të sotme, ndërsa karavansarajet shërbenin për vendosjën e udhëtarëve dhe të kafshëve të tyre bartëse që bënin pjesë në karvanin për bartjën e mallrave.

Në Gjakovë përmendët edhe një hotel, që ishte pronë shtetërore dhe që iu ipej me qera hotelxhinjve me pagesa të larta që arrinin deri në 300 mijë piastra në vit.

Komuna e Gjakovës ka pasur edhe një bujqësi shumë të zhvilluar. Me një sipërfaqe toke bujqësore prej 29420 ha, nga të cilat rreth 8000 ha me sistem ujitjeje, janë kultivuar kultura bujqësore intensive dhe është zhvilluar pemëtaria, vreshtariaetj. Si edhe blegtoria, shpezëtaria dhe pylltaria.

Ndërrimet që pësoi ekonomia me mbarimin e luftës 1999, janë përcjellë në strukturën ekonomike në shoqëritë në tranzicion. Gjakova tani ka nje  strukturë ekonomike, e cila mbështetet në dy shtylla: në biznesin privat dhe në biznesin shoqëror, i cili është në privatizim e sipër. Biznesi privat është në ekspansion dhe treguesit e cilësojnë si strukturën kryesore përbërëse të ekonomisë.

Print