Kultura

Kodra e Çabratit



Kodra e Çabratit paraqet një përmendore të rëndësishme kulturore historike, ku u zhvilluan beteja të armatosura gjatë gjithë historisë së Gjakovës deri në luftën e fundit të UÇK-së dhe përmendore natyrore rekreative, ku gjakovarët zbavitëshin gjatë gjithë historisë. Është simbol i qytetit të Gjakovës që frymëzoi shumë këngëtarë popullorë dhe shkrimtarë, të cilët ia kushtuan një pjesë të veprimtarisë së tyre artistike.
Në kuadër të saj sot kodra e Çabratit është bërë një qendër e rëndësishme, ku qytetarët kanë mundësi  për rekreacion dhe  argëtim – ecje, vrapim, çiklizëm.
Është një pejsazh i bukur kodrinor me pamje nga Alpet Shqiptare, maja e Pashtriku dhe malet e Sharrit. Kodra e Çabratit përshkon e një pjesë të madhe të  qytetit të Gjakovës. Nis nga jugu nga lagjja “Mulla Jusuf” dhe vazhdon deri në fshatin Skivjan.  Ka relief të thyer dhe është e pasur me florë.   Dikur ka qenë një vend i njohur për kultivimin e rrushit dhe pemëve frutore. Kurse sot mund të gjenden vetëm disa parcela të vogla.
Në qendër të kodrës gjendet tyrbja e njohur si “Turbja e Çabratit” e cila është shumë e vizituar nga qytetarët gjatë gjithë vitit.
Çdo 14 maj rreth tyrbës mblidhën për mijëra  qytetar për të kremtuar festën pagane të Shëngjergjit.
Qytetarët  që vizitojnë këtë zonë  që shtrihet mbi qytetin e Gjakovës, kanë mundësi  të shijojnë ushqimin tradicional në  restaurante dhe kafiterit që gjenden në këtë hapësirë.

Po ashtu këtu gjendet kompleksi i varrezave të martirëve të luftës së UÇK-së.
Por kjo kodër paraqet  edhe varrezën e luftëtarëve të vrarë të Gjakovës me rrethinë gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare 1941-1945, paraqet të vetmen pjesë të realizuar të një projekti grandioz, i cili përfshinte Kodrën e Çabratit deri ke Fabrika e Tullave.
Duke marrë parasysh rolin historik të Çabratit gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, nga Kuvendi i Komunës së Gjakovës, më 9 nëntor 1982, është marrë vendim mbi shpalljën e Çabratit- “Monument Natyror Memorial”.
Më 1985 është punuar Plani për rregullimin dhe shfrytëzimin e Parkut Memorial Çabrati, nga Instituti Urbanistik i Zagrebit.
Mirëpo sipas këtij plani është e realizuar vetëm permendorja e Eshtërorës.
Sipas planit në një hapësirë të përgjitshme prej 140 hektar, ka qenë e paraparë të përfshihen kompleksi memorial, kompleksi komercial dhe hotelierik, kompleksi kulturor dhe sportive e rekreativ.

Kompleksi – Parku Memorial Çabrati, gjendet në pjesën perendimore të qytetit të Gjakovës, i pozicionuar për së gjati në drejtim të veri-jugut në mes të pyllit ekzistues dhe pjesës urbane të qytetit, e cila me shtrirje të tillë i jep prapavijë të gjelbërt Çarshisë së madhe.
Tërsia hapësinore e kompleksit të këtij Parku, si zonë me kuptim memorial, trashëgimi të pasur natyrore, me një pozitë mjaft të volitshme gjeografike dhe me një bagazh të resurseve natyrore, e bënë komunën qendër rajonale për kohë të lirë dhe rekreacion.
Reliefi i kësaj tërsie ka rënje të pjerrët dhe të lehtë deri në 30 % e cila fillon nga kuota 380 deri në kuotën maksimale 430 nga drejtimi veri-jug. Gjatësia e kompleksit është afërsisht 2000m dhe gjerësia 300 m.
Kompleksi kufizohet me qytetin në lindje, lumen Erenik në jug, Industrinë e Materjalit Ndërtimor në veri dhe pyllin e Çabratit në perendim.
Në këtë kompleks, ekziston e ndërtuar permendorja Eshtërorja e cila është si pikë  indentifikuese, pjesërisht e ndërtuar sipas projektit kryesor.
Komuna e Gjakovës e sheh këtë Memorial ndër projektet kryesore të qytetit.
Është detyrë parësore që të ruhet bukuria e këtij pejsazhi për gjeneratat e ardhëshme, me qëllim që kjo zonë të përjetohet nga të gjitha kategoritë e vizitorëve dhe ky rregullim urban I parkut të ketë një dimension të ri të vlerës duke përcjell kujtesën historike të brezave.

 

Print