Kultura

Xhami



Xhamia e Hadumit e ndërtuar më 1594/95

Kompleksi i Xhamisë së Hadumit, simbolit të qytetit të Gjakovës, me të cilin, sipas traditës, lidhej edhe fillimi i jetës qytetare, paraqet qendrën kulturore, arsimore dhe fetare të këtij vendbanimi. Pranë saj gjendej biblioteka më e madhe se vet xhamia dhe, pranë bibliotekës,  shkolla. Sylejman Hadim aga, pos këtij kompleksi, ndërtoi,në afërsi, një muvakit-hane, një han, një hamam dhe disa dyqane që përbejnë bërthamën e Çarshisë së Madhe. Të huajt e konsideronin “monument i kulturës shqiptare … monument unikat në të gjitha trojet shqiptare” (Ridelmajer), që “mund të bënte gara lirisht me xhamitë në Stamboll” (Myller).

Planimetria e saj përbëhët nga salla e lutjeve, hajati dhe minareja. Salla është e mbuluar me kube të konstruktuar drejtëpërdrejt mbi te nëpërnjet të trompeve në këndët e mureve konstruktive. Ky konstrukcion specifik paraqet të vetmen zgjidhje të këtillë ndërtimore në Kosovë.

Enterieret janë të zbukuruara me arabeska, me pikturë murale, me pejsazhe të stilizuara, në disa raste me motive të arkitekturës popullore (të kullave të Dukagjinit), pastaj, me selvi, natyra të qeta, ornamente bimore, figura gjeometrike, citate të kuranit.

Përreth saj gjendeshin varret me nishane të realizuara në plastikë guri të  personaliteteve të njohura të Gjakovës me rrethinë.

Më 1999 u dogj ky kompleks, nga i cili shpëtoi vetëm xhamia me minarenë e granatuar, me hyrjen e djegur dhe me arabeskat e dëmtuara.

Në arsyetimin e vendimit mbi mbrojtjen e këtij kompleksi, që përfshinte xhaminë, bibliotekën, shkollën, shatërvanin dhe varrezat, thuhet se xhamia, e ndërtuar nga guri me themele katrore me kupolë mbi trompe dhe tremin me tri kupola mbi shtyllat masive, për kah mënyra e ndërtimit, për kah madhështia e ruajtja e saj, paraqet përmendore të rëndësishme të arkitekturës mesjetare islame.
Është nën mbrojtjen e ligjit qysh më 1955.


Xhamia e Hasan agës në Rogovë e ndërtuar para 400 vjetësh

Sipas vendimit mbi mbrojtjen e këtij objekti thuhet se xhamia me minarenë janë të mbuluara me plumb, se në pjesën e brëndshme të mureve ekzistojnë tetë pilastra të fortë,  që i bartin trompet dhe kupolën, se mënyra e ndërtimit të kësaj xhamije ka ngjajshmëri me Xhaminë e Hadumit, se në te janë të ruajtura lokalet e shkollës, se zbukurimet e brëndshme pasqyrojnë artin provincial, se përreth saj ekzistonin varrezat me nishane dhe mbishkrime të periudhës më të hershme deri më 1932, kur aty u ndërtua shkolla
Është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1970.


Xhamia e Mahmut Pashës

E themeluar më 1802 nga Mahmut pasha i familjës gjakovare të kurtpashëve, familje e famshme në të gjitha trojet shqiptare,me dy mejtepe dhe dy çardakë dhe me minare me dy sherefe.

Xhamia e Kusarëve

E ndërtuar më 1770 paraqet një xhami tipke të kësaj treve me kulm karakteristik dhe me minare të qëndrueshme ku vërehën gurët katrorë.


Xhamia e Mullajusufit

E ndërtuar më 1854 nga tri familje të një gjaku (të mullahasanëve, të mullashabanëve dhe të mullamuslive) për kah madhësia dhe për kah bukuria vjen menjëherë pas Xhamisë së Hadumit. Ka një minare të bukur prej guri të skalitur, dy dhoma në hyrje dhe një oborr me një krua.

Print