Kultura

Mejtepe dhe Medrese



Mejtepi Ruzhdije i shek. XIX

Ruzhdija (progjimnazi apo gjimnazi i ulët) u themelua në Gjakovë më 1867, si shkollë shtetërore  në frymën e reformave të Tanzimatit, kur u themluan edhe shkolla të tjera fillore (iptidaije).  Këtu u hap shkolla e parë shqipe 1915-1918. 
Në vitet 1918-1941 punoi shkolla serbe, ndërsa prej 1941- 1944 mësimet zhvilloheshin vetëm shqip. Prej vitit 1944 e deri para luftës së fundit mësimet zhilloheshin në shqip dhe në serbisht.

Medreseja e Madhe e vitit 1707

Qendër e rëndësishme e arsimit fetar islam. Përbëhej nga mesgjidi, nga dhomat e mësimit, nga salla e arsimtarëve, nga biblioteka shumë e pasur me libra dhe dorëshkrime të ndryshme, ndër të tjera, edhe të  pedagogëve të saj, që ishin, më parë, pedagogë të Fakultetit teologjik “Fatih” të Stambollit, nga menza, nga dhomat e fjetjës të studentëve, nga shtërvani etj. Më 1912 u shndërrua, nga ushtria malazeze, në shtallë kuajsh, të cilëve iu shtruan fletët e librave në vend të kashtës dhe, më 1999, u dogj tërësisht nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. U rindërtua me ndihmën financiare të princit të Katarit.

Medreseja e Vogël e vitit  1770

Qendër e rëndësishme e arsimit fetar islam. Në pikëpamje arkitekturore i kishte të gjitha hapësirat e nevojshme për një shkollë me sistem kolegji. Kishte një bibliotekë të pasur me libra dhe me dorëshkrime. Aty ruheshin edhe veprat e themeluesit të saj, dijetarit të njohur Tahir efendi Gjakovës, i cili shkroi vepra edhe në gjuhën shqipe me alfabet osman.

Është rrënuar vetvetiu pas luftës së fundit, ndërsa do të rindërtohet me  përkrahje financiare  të vakëfeve të Turqisë.


Ndërtesa e Normalës së Gjakovës

Më 1942 në këtë ndërtesë u hap Shkolla Normale “Gjon Nikollë Kazazi” në gjuhën shqipe, ndërsa, pas Luftës së Dytë Botërore, më 1945, u hap progjimnazi në gjuhën shqipe. Më   1946, po këtu, u hap shkolla e parë normale në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi, ku i vijuan mësimet nxënësit shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare të ish federates jugosllave. Më 1967 u hap Shkolla e Lartë Pedagogjike, institucioni i vetëm i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi.

Godina u ndërtua me ndihmën finansiare të qytetarëve të Gjakovës.

Print