Kultura

Komplekse Ndërtimore



Tërësia urbanistike e Çarshisë së Madhe

Çarshia e Madhe paraqet njerin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Shtrija e saj nga veriu në jug arrin në 1000 m., ndërsa sipërfaqja e gjithëmbarshme e saj është 34.000 m2. Ajo ishte vatër e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të rajonit të Gjakovës. Në te u zhvilluan të gjitha zejet e mundshme.

Ka vlera shumë të mëdha kulturo-historike, por edhe shkencore. 

Në pikëpamje urbanistike, Çarshia paraqet një shembull të gjallë të planit urbanistik oriental me ato elemente të pasura arkitektonike që frymëzojnë sot çdo arkitekt, paraqet një muze të vërtetë të veshur me mozaikun e larmishëm të zejeve të lloj llojshme në arkitekturën specifike të enterierëve të pasur, paraqet një laborator të madh shkollor me modele të panumërta të krijimtarisë popullore në të cilin pasqyrohet kreativiteti i pashoq i ndërtuesit në përpunimin e drurit dhe latimin e tij sa më të përsosur për nevojat e veta.

Në pikëpamje artitekturore Çarshia paraqet një shkollë të modeleve më të bukura të arkitekturës popullore dhe të shkathtësisë ndërtimore, duke filluar nga detajet më të imta e deri te tërësitë, prej objekteve deri në ambiente, prej ambientit deri në urbanizëm, duke mos humbur në asnjë çast masën e vërtetë, të cilën mjeshtri gjenial anonim dhe me përvojë të gjatë e ka gjetur në jetën dhe në shprehitë e zejtarëve, në hapësirën e nevojave të domosdoshme, në dimensionet njerëzore. 

Është një rast i rrallë kur një tërësi urbane ruhet plotësisht dhe jeton gati e paprekur nga jeta moderne, është shembull i rrallë i bashkëjetesës së harmonishme të të vjetrës me të renë në një qytet
Më 1999 u dogj, me të gjitha përmendoret kulturore historike në te, por u ringjall pas luftës falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare USAID, CORDAID etj.   
Është nën mbrojtjën e ligjit që nga viti 1955.


Kompleksi i Sukës së Cërmjanit 

Në sipërfaqe prej 19 ari në të cilin gjendet Tyrbja e Mustafa efendiut, xhamia pa minare dhe mbeturinat e mureve mbrojtëse, pronë e vakëfit të fshatit Kodrali.

Sipas vendimit mbi mbrojtjen e këtij objekti thuhet se maja e Sukës ishte e mbrojtur me mur të trashë, që shërbente si fortifikatë në luftërat e mëparshme dhe se brënda këtij kompleksi janë gjetur një këmbanë kishe, monedha, yzengji etj.
Është nën mbrojtjën e ligjit që nga viti 1970.


Hanet e Haraçisë 

Në vendin ku dikur Hadum aga e kishte ndërtuar hanin, sot gjenden dy objekte hoteliere me arkitekturë autoktone, njeri me qoshk e tjetri me çardak tipik gjakovar, të cilat krijojnë një atmosferë të veçantë vendore. 

Paralelisht me trashëgiminë kulturore historike, Gjakova me rrethinë shquhet edhe për trashëgiminë natyrore.

Print