Kultura

Arsimi i Gjakovës

Arsimi i Gjakovës
Gjakova ka një traditë të hershme të arsimit  qysh me fillimin e jetës qytetare në te, që kur Sylejman Hadim aga, ndërtoj dhe vakëfoj, (1594-1595), pos hanit, hamamit, disa dyqaneve, një xhami, një mejtep, një bibliotekë. Sipas traditës gjakovare biblioteka e Hadim agës ishte aq e pasur me libra sa që thuhej se “kush don me pa Çaben le ta vizitoj bibliotekën e Hadim agës”.

Biblioteka kishte një sallë leximi në katin përdhesë dhe vitrinën me libra në katin e sipërm. Sipas shënimeve, biblioteka ishte më e madhe se sa vet xhamia. 

Më vonë zhvillimin e arsimit në Gjakovë e ndihmuan pjesëtarët familjes Kurtpasha, disa nga të cilët ndërtuan, xhami, mejtepe dhe medrese.

Kjo traditë fitoi dimensione të reja duke u pasuruar dhe thelluar në mënyrë të veçantë në vitet e bujshme të Lëvizjës Kombëtare Shqiptare, në të cilën Gjakova  me rrethinë dha ndihmën e saj të spikatur. 

Sipas disa të dhënave,  shkolla në gjuhën shqipe në teritorin e Gjakovës, janë hapur para vitit 1840.

Dihet për ekzistencën e shkollave private dhe të mësueve misionarë franceskanë. Një shkollë private në shtëpinë e tij, me 1743, e kishte hapur edhe Gjon Nikollë Kazazi, doktor i teologjisë e i filozofisë dhe arqipeshkë i dioqezës së Shkupit. Në këtë shkollë përgatiteshin ata të rinj, të cilët do t’i filonin studimet e rregullta në kolegjet e ndryshme papnore në Itali.

Sa ishte gjallë, Kazazi arriti të hapë shkolla fetare ne dioqezën e tij, duke angazhuar si mësues ish nxënësit e tij, të diplomuarit në kolegjet e Kongregatës së Shenjtë, si Zef Lumbeshin, Mati Krasniqin dhe Zefë Berishë Nikollën, të cilët punuan si mësues në misionet e Gjakovës, Janjevës, Zymit etj. Në këto shkolla nxënësit shqiptar mësonin shkrimleximin në gjuhën shqipe dhe doktrinën e krishterë, gjithashtu në shqip, të hartuar nag Gjon Nikollë Kazazi dhe të botuar në shtypshkronjën e Propagandës së Shenjtë.

Shënime të sakta për shkollën shqipe, të hapur pranë kishës katolike në Gjakovë, janë që nga vitit 1851.

Në këtë shkollë dhanë mësim Don Pjetër Doda, Don Filip Kanxhi, Don Tom Gusiqi, Patër Rozarja, Patër Gaudenci, Don Pjetër Zara, Don Ndrue Bytyqi, ndërsa mësues laik janë angazhuar Pashko Logoreci dhe Mihill Kurti. Sipas shënimeve, të gjithë mësuesit, e bartën apo jo petkun fetar, vepronin në bazë të parimeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Pas viteve 30 të shekullit XIX, në frymen e reformave të Tanzimatit, në Gjakovë u hapën shkollat shtetërore turke: shkollat fillore (iptidaijet) dhe gjimnazet e ulëta (ruzhdijet).

Sipas sallnamesë në vitin 1893 në Gjakovë kishte 15 shkolla fillore (iptidaijet), me 1101 nxënës dhe një gjimnaz i ulët (ruzhdije) me 120 nxënës.

Nxënësit e shkollave shtetërore mësonin nga librat, të shkruar në gjuhen turqishte, të pakuptueshme për nxënësit gjakovarë, të cilët flisnin vetëm shqip.
Prandaj mësuesit e tyre, që ishin, kryesisht gjakovarë, ua përkthenin  fshehurazi këto tekste në gjuhen amëtare, ndonëse kjo ishte e ndaluar. Këtë mund ta bënin për arsye se ndikimi i autoriteteve qeveritare osmane ishte shumë i dobët në Gjakovë.

Intelektual shqiptar nga Gjakova, të shkolluar në qendrat më të rëndësishme arsimore të perandorisë Osmane, patën një rol të veçantë në hapjen e shkollave në gjuhën shqipe gjatë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. 
Një rol të veçantë në pasurimin e traditës arsimore në trevën e Gjakovës dhe me gjerë pati edhe hapja e shkollave fetare, në fillim mejtepeve dhe, më vonë, e medreseve.


Qysh më 1707 është themeluar Medresja e madhe, e cila  është bërë një qendër e rëndësishme arsimimi dhe edukimi në frymën fetare e kombëtare. Në të vijuan mësimet me mijëra të rinj nga të gjitha trevat e Rrafshit të Dukagjinit, të Malësisë, të Hasit etj. Kjo medrese është themeluar nga alimi dhe bëmirësi Murat beu, i biri i Adem pashës, i cili kishte shërbyer si mytesarif në sanxhaqet e Ohrit, të Elbasanit dhe të Shkodrës. Kjo shkollë punonte sipas programit të Fakultetit Teologjik “Fatih” të Stambollit. Kishte një konvikt të madhë dhe një bibliotekë të pasur. Nxënësit e kësaj medreseje i vazhdonin shkollat e larta në Stamboll dhe në Aleksandri.  
Arsimtar dhe nxënës të medresës së Madhe u dalluan  për ndihmesën që dhanë në Lëvizjën Kombëtare Shqiptare si Ismail efendiu, Ali efendiu dhe Hasan efendiu, bashkëpunëtor të ngushtë të Sylejman Vokshit gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe nxënës i permendur i kësaj medreseje Haxhi Zeka, themelues i Lidhjes së Pejës.
Disa vite më vonë rreth viteve (1815-1816), Tahir efendi Boshnjaku themeloj Medresën e vogël. Themelimi i saj erdhi si nevojë, pasi Medresja e madhe nuk arriti ti plotësoj të gjitha nevojat e popullsisë së etshme të Gjakovës për dituri. Për shkak të famës që krijoj, këtë medrese e ndiqnin edhe nxënës nga rajonet e Sanxhakut, të Jeni Pazarit, të Toplicës, të Plavës dhe të Bosnjës.

 

Por intensifikimi i angazhimit të  arsimimit të popullatës në gjuhën amëtare, është  që në fillimet e shekullit XX.Revolucioni gjon turk dhe premtimet e qeveritarëve të rinj për më shmë të drejta kombëtare i dhanë hov lëvizjës për arsimimin në gjuhën shqipe si rrugë e vetme për të dalë nga errësira shekullore që kishte përfshirë vendin, pos tjerash, edhe për shkak të pamundësisë së shkollimit në gjuhën shqipe. Ne këtë drejtim u dallua Gjakova.

Sipas kujtimeve të Sali Morinës,  njërit nga pishtarët e arsimit shqip në Gjakovë gjatë Luftës së Parë Botërore, që në vitet 1905-1906, një grup arsimdashësish si Osman Nikoliqi, Riza Thaqi, Haxhi Tahiri e të tjerë organizuan nën masa të rrepta ndjekjeje të pushtetit osman kurse, në të cilat mësohej gjuha shqipe fshehurazi. Përpjekje për hapjën e shkollës shqipe në Gjakovë dhe fshatrat përreth, ka bërë edhe heroi kombëtar Bajram Curri qysh në vitin 1911. Një kontribut në përhapjën e  librit dhe shtypit në gjuhën shqip, që ishte i ndaluar rreptësisht nga pushteti osman, një meritë të veçantë kishte edhe Teqeja e Bektashinjëve.

Por kushte më të favorshme për ngritjen e shkollave në Gjakovë u krijuan gjatë Luftës së Parë Botërore. Pas depërtimti të ushtrisë austro-humgareze drejtë jugut, ushtritë serbo-malazeze u detyruan ta lëshojnë Gjakovën dhe një pjesë të Rrafshit të Dukagjinit. Kësisoj, me nismën e Bajram Currit, u hapën në Gjakovë shkollat shqipe para arritjes së ushtrisë austro-hungareze. Mësuesit e parë  të kësaj shkolle ishin ata që morën nismën për hapjën e saj: Niman Ferizi, Sali Morina, Ferid Imami, Ibrahim Fehmiu, Qazim Bakalli, Ibrahim Kolci, Mon Osa, Isuf Puka Murat Gjakova, Engjëll Ndoca nga Shkodra, Latif Shaqiri etj.


Midis dy luftërave botërore në Gjakovë nuk kishte asnjë shkollë shqipe, bibliotekë apo shoqatë kulturo-artistike. Mbi 90 përqind e popullsisë shqiptare ishin analfabetë.

 

Pas kapitulimit të Jugosllavisë më 1941 në Gjakovë u hapën tri shkolla shqipe, në të cilat punonin mësuesit e vjetër gjakovarë, mësuesit e rinj, të shkolluar në Shqipëri dhe mësuesit nga Shqipëria.

Më 1942 u hap shkolla normale “Gjon Nikollë Kazazi”, godinën e të cilës e ndërtoi populli i Gjakovës. Ajo hapi dy paralele kursi për femra.

Më vonë, në Gjakovë u themeluan edhe dy shkolla shqipe katërklasëshe me 500 nxënës, dhe një shkollë e veçantë për vajza, në të cilën punuan mësueset Dominika Ndoca, Jozefa Ndoca dhe Eminja e Haxhi Sheh Dulës.

Mësuesit e shkollave shqipe të qytetit të Gjakovës ndihmuan shumë në zgjerimin e rrjetit shkollor nëpër fshatra dhe qendra të tjera të Kosovës.

Por një epokë dhe rilindje  kulturore e arsimore kishte nisur, pas luftës së dytë botërore, përkatëSisht  më 26 tetor 1946, kur në Gjakovë filloi punën Normalja e Gjakovës, një shkollë e mesme dy vjeqare, e para në gjuhën shqipe në atë nivel në historinë  arsimore të Kosovës. 

Shkolla ishte themeluar  me një dekret të veçantë të autoriteteve arsimore  të asaj kohe. Si qëllim kishte nxjerrjen e mësuesve që ishte imperative i ngutshëm i kohës që kushtëzohej me nevojën e madhe të përgatitjes së kuadrit arsimor. Nxënës nga  shumë vende të kombit, të cilët kishin përfunduar semimaturën (filloren), ishin bërë pjesë e shkollës së parë të këtij lloji. Të diplomuarit  më pas u shpërndanë  në të gjitha viset nga flitej shqip.

Hapja e kësaj shkolle në qytetin e Gjakovës, konsiderohet  si një ngjarje nga më të rëndësishmet e arsimit dhe të edukimit të gjeneratave të reja por edhe të  kulturës kombëtare në përgjithësi. Kjo  shkollë përfshinte rininë shqiptare nga të gjitha trevat. Ndërsa  për shkollën ishin angazhuar të gjithë, qytetarët, punëtorët, zejtarët….
Mehmet Gjevori hartuesi I abetarës shqipe në Kosovë dhe inspektor  arsimor në atë kohë,   sa ishte gjallë kishte thënë:  “Është nder i madhë e meritë e posaqme për çdo gjakovar që ka plot të drejtë të jenë krenar, sepse Gjakova është qyteti i parë që ka nxjerrë mësues e mësuese të kualifikuar, të ri e të reja kosovar, madje nga viset tjera”.

Ndërsa prej vitit 1953 themelohet gjimnazi real “Hajdar Dushi”.  Prej vitit 1958 me vendim të “Pleqërisë së Arsimit… ky institucion ka punuar me “Gjimnazi i plotë”.

Më vonë janë hapur edhe shkolla të tjera të mesme, si ajo e ekonomisë, mjekësisë dhe qendra teknike.
Ndërsa avancim në fushën e arsimit komuna e Gjakovës ka bërë më 1967, kur   është hapur Shkolla e Lartë Pedagogjike, i vetmi institucion i arsimit të lartë në ish Jugosllavi, ku mësimet zhvilloheshin vetëm në gjuhën shqipe. Tani kjo shkollë e lartë është shndërruar në Fakultet të Edukimit.

Gjakova prej vitit 2013 është qytet universitar, ku studiohet në disa degë. 
Sot në Komunën e Gjakovës, po ashtu ekzistojnë një numër i madh shkollash fillore dhe të mesme, si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat.
Rrjeti shkollor është i organizuar në shkolla kryesore dhe paralele të ndara fizike. Gjatë vitit 2004 vërehet një zhvillim, përkatësisht ngritje e institucioneve private e sidomos në nivelin e arsimit parashkollor, por edhe në arsimin fillor dhe të mesëm.

Print